Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një konferencë për mediat, ku ka kritikuar ashpër qeverinë dhe censurën që, sipas tij, ka përfshirë median shqiptare. Berisha theksoi se Shqipëria po përjeton një entuziazëm të paprecedentë, duke u përballur me dy fushata: një të qytetarëve të lirë dhe një tjetër të mbështetësve të pushtetit, të cilët, sipas tij, janë të detyruar të dëgjojnë gjëra që nuk i dëshirojnë.

Ai shtoi se shumë debate televizive janë anuluar për shkak të mungesës së kandidatëve të Partisë Socialiste, duke e cilësuar këtë si një nënshtrim të mediave të lira ndaj diktatit të Edi Ramës dhe ekipit të tij.

Berisha bëri thirrje për zhvillimin e debateve në media me përfaqësues të opozitës, të cilët janë të gatshëm të përgjigjen ndaj ftesave dhe të japin opinionet e tyre.

Berisha: Ka shpërthyer një entuziazëm që Shqipëria nuk e ka njohur prej dekadash. Keni përballë dy fushata, njëra e elektrizuar e qytetarëve të lirë, tjetra e njerëzve të rrogëtarëve të detyruar të dëgjojnë ndoshta çdo gjë që nuk donin të dëgjonin. Nga një njeri që ka humbur çdo logjikë, standard e etikë dhe kalon nga një banalitet në një tjetër.
Ajo që është problematike, censura e egër e mediave ndaj opozitës për hatër të qeverisë, pra censurë e diktuar nga qeveria. Studiot e debateve kanë anuluar një seri debatesh me pretekstin se kandidatët e PS nuk vijnë. Ky është nënshtrim i pa konceptueshëm i mediave të lira ndaj diktatit të Ramës dhe ekipit të tij të inkriminuar që nuk mund të dalë në dritë pra në studio për shkak të bagazhit të tmerrshëm që ka, lidhjet me krimin etj.
Thirrja ime është, që mediat të mos mbyllin debatet po t’i zhvillojnë me gazetarë dhe përfsaqësues të opozitës që ka vullnetin tu përgjigjet ftesave të tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb