Federata Shqiptare e Futbollit zhvilloi këtë të premte, më 28 gusht, seleksionimin njëditor për futbollistet e reja me origjinë shqiptare, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Aktiviteti, i dedikuar vajzave të vitlindjeve 2009, 2010, 2011 dhe 2012, mblodhi talente të reja nga vende të ndryshme të Europës dhe botës, të cilat patën mundësinë të prezantojnë cilësitë e tyre dhe të tregojnë potencialin për të qenë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave.

Gjatë gjithë procesit, futbollistet u monitoruan dhe u vëzhguan nga afër nga Drejtoria Teknike dhe Departamenti i Skautizmit në FSHF, në bashkëpunim me stafet teknike të ekipeve kombëtare U-15, U-17 dhe U-19.

Seleksionimi është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Federatës për të identifikuar talentet e reja me origjinë shqiptare, pavarësisht vendit ku ato aktivizohen, duke zgjeruar bazën e futbollisteve që mund të përfaqësojnë Shqipërinë në të ardhmen.

Përmes këtyre aktiviteteve, FSHF synon të krijojë më shumë mundësi për vajzat e reja, të evidentojë potencialet e reja dhe të ndërtojë një bazë sa më të gjerë talentesh për ekipet kombëtare të vajzave.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb