Vendet e G7-ës dënuan të mërkurën atë që e quajtën “përdorim i qëllimshëm i dhunës dhe vrasje e protestuesve” në Iran , duke shprehur gatishmërinë e tyre për të vendosur masa shtesë kundër Teheranit nëse vazhdon shtypja e protestave .

Protestat në Iran kanë vazhduar që nga fundi i dhjetorit për shkak të përkeqësimit të kushteve ekonomike dhe zhvlerësimit të monedhës rial.

Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e jashtëm të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së thanë se janë “thellë të shqetësuar” nga zhvillimet rreth protestave të vazhdueshme antiqeveritare në Iran.

“Ne kundërshtojmë fuqimisht intensifikimin e represionit brutal të autoriteteve iraniane ndaj popullit iranian, i cili ka shprehur me guxim aspiratat e tij legjitime për një jetë, dinjitet dhe liri më të mirë, që nga fundi i dhjetorit 2025”, thuhet në njoftim.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve iraniane të ushtrojnë vetëpërmbajtje të plotë, të përmbahen nga dhuna dhe të mbështesin të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të qytetarëve të Iranit”, shtoi deklarata.

Ministrat e jashtëm nënvizuan se mbeten të përgatitur të vendosin masa shtesë kufizuese nëse Irani vazhdon të “shtypë protestat dhe mospajtimet në shkelje të detyrimeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb