Arkeologu dhe studiuesi Auron Tare ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas deklaratës së biznesmenit Mohamed Alabbar, i cili u shpreh se investimi i tij në Shqipëri ishte një gabim, duke pranuar se kishte ndërtuar shumë shpejt.
Në reagimin e tij, Tare rikthen në vëmendje projektin e Portit të Durrësit, duke theksuar se ai u prezantua si një nga investimet më ambicioze në Europë dhe se qeveria u angazhua plotësisht për ta mbështetur.
“Alabbari, investitori që u paraqit si njeriu që do t’i sillte Shqipërisë një nga projektet më ambicioze në Europë, sot thotë me gojën e vet: ‘Në Shqipëri kam bërë gabim’,” shkruan Tare.
Sipas tij, pas kësaj deklarate lind nevoja për një sqarim publik mbi ecurinë e projektit të Portit të Durrësit dhe mbi atë se çfarë do të ndodhë me këtë investim strategjik.
View this post on Instagram
“Porti i Durrësit, aseti më i rëndësishëm portual i vendit, iu besua këtij zotërie me premtimin se do të ndërtohej një projekt transformues. Sot, pas gjithë atyre premtimeve, vetë investitori deklaron se ishte gabim. Atëherë lind një pyetje e thjeshtë: ku është qeveria? Kush u përgjigjet qytetarëve për fatin e këtij projekti?”, shprehet Tare.
Ai thekson se për një pasuri strategjike kombëtare, transparenca dhe llogaridhënia janë detyrim dhe jo zgjedhje, duke kërkuar që pas deklaratës së Alabbar të ketë një shpjegim zyrtar për të ardhmen e projektit.
“Nëse bëhen premtime të mëdha për një pasuri strategjike kombëtare, transparenca dhe llogaridhënia nuk janë zgjedhje. Janë detyrim. Pas kësaj deklarate publike duhet të vijë edhe një sqarim publik se çfarë po bëhet me Portin e Durrësit. A ishte një gabim?”, përfundon reagimi i Auron Tares.
