Komediani amerikan Jimmy Kimmel është rikthyer në transmetim, duke kërkuar falje për një koment të mëparshëm në lidhje me vrasjen e aktivistit konservator, 31-vjeçarit Charlie Kirk , gjë që bëri që rrjeti ABC të pezullonte emisionin e tij.

“Në asnjë moment nuk ishte qëllimi im” ta lehtësoja vrasjen e Charlie Kirk, tha prezantuesi i famshëm në një monolog në shfaqje pasi u rikthye në ekran.

Kimmel tha se komenti i tij i mëparshëm ishte i gabuar, se nuk kishte ndërmend të fajësonte ndonjë grup për vrasjen e Kirkut, dhe vlerësoi bashkëshorten e Kirk, Erica, për faljen publike të vrasësit gjatë një shërbimi përkujtimor për burrin e saj.

Jo shumë pas rikthimit të Kimmel në transmetim, Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se “nuk mund ta besojë që e rikthyen në punë”.

Aktivisti i njohur konservator Charlie Kirk, i cili mbronte pikëpamjet dhe politikat e Trump dhe konsiderohej një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit amerikan, u vra më 10 shtator ndërsa po fliste para turmës në oborrin e Universitetit të Utah.

22-vjeçari Tyler Robinson është akuzuar për vrasje dhe prokurorët po kërkojnë dënimin me vdekje nëse dënohet.

Gjatë një shërbimi përkujtimor për Charlie Kirk në një stadium të mbushur plot në Phoenix të Arizonës, gruaja e tij tha se e kishte falur vrasësin.

“Burri im, Çarli, donte të shpëtonte të rinj, njësoj si ai që i mori jetën. E fal sepse këtë do të bënte Krishti, këtë do të bënte Çarli. Përgjigja ndaj urrejtjes nuk është urrejtja”, tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb