Shumica prej nesh kanë pritur për konferencën IFA në shtator, pasi tradicionalisht këtu i ka prezantuar Samsung pajisjet e reja Galaxy Note. Këtë herë kompania nuk do të ndjekë traditën për Galaxy Note 5.
Një sërë raportesh na njoftojnë se kompania do ta prezantojë telefonin e ri inteligjent në muajin gusht, për të kompensuar shitjet jo të mira të Galaxy S6 dhe për të shmangur konkurrencën nga iPhone-t e rinj.
Burime të ndryshme konfirmuan sot se pajisja e re Note do të prezantohet më 12 gusht. Sipas këtyre burimeve, Samsung Galaxy Note 5 do të prezantohet zyrtarisht më 12 gusht në Nju Jork dhe do të hidhet menjëherë në treg. Bashkë me të do të prezantohet edhe Galaxy S6 Edge Plus.
Galaxy Note 5 do të ketë anësore shumë të holla, ngjashëm me Galaxy A8, ekran 5.67 inç QHD, procesorin Exynos 7422, dhe do të jetë telefoni i parë inteligjent i Samsung-ut që do të ketë 4GB RAM. Siç edhe emri sugjeron, Galaxy S6 Edge Plus është një version pak më i madh i Galaxy S6 edge, me një ekran më të madh, procesorin Exynos 7420 dhe 3GB RAM. Veçoritë e tjera do të mbeten të njëjta. Çmimi dhe data e daljes në treg do të ndryshojnë sipas vendeve.
(ed.me/BalkanWeb)
