Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar vijoi sot procesin për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, por mbledhja u shoqërua me shkelje ligjore dhe procedurale, duke ngritur dyshime mbi vlefshmërinë e votimit.
Anëtarët e Këshillit kryen një votim pa diskutuar kriteret që përmbushin ose jo kandidatët, në kundërshtim me ligjin për mediet audiovizive dhe statutin e RTSH-së.
Sipas juristëve, kjo dëmton procesin, pasi votimi u krye pa verifikuar në mënyrë të detajuar CV-të dhe kompetencat e kandidatëve, duke rritur rrezikun e zgjedhjes së një kandidati me njohuri të kufizuara.
Për më tepër, votimi është konsideruar i paligjshëm, pasi një anëtar i Këshillit, i cili ndodhet jashtë shtetit, konkretisht në Vietnam, u lejua të votojë online në një proces që duhej të ishte i fshehtë.
Votimi i tij zbuloi automatikisht preferencën, duke cenuar parimin e anonimatit. Kjo shkelje mjafton që e gjithë procedura të shpallet e pavlefshme, sipas ekspertëve.
Kandidatët për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së janë:
Jetmir Shpuza, Laureta Roshi, Kliton Rama, Aurora Polo, Floriana Paskali, Eni Vasili, Harilla Koçi, Enrik Mehmeti, Flamur Buçpapaj dhe Ermal Hoxha.
(BalkanWeb)
