Këshilli i Lartë i Drejtësisë u mblodh ditën e sotme në Tiranë me disa pika të rëndësishme në rendin e ditës, përfshi edhe zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës së Apelit Tiranë. Për këtë funksion kandidojnë gjyqtarët Alaudin Malaj, Hysni Demiraj dhe Gramoz Levanaj.
Zbulohet se njëri prej kandidatëve, Alaudin Malaj, drejtues i deritanishëm i Gjykatës së Shkallës së Dytë, me anë të një shkrese zyrtare deklaroi dje se kërkon përjashtimin e Gjin Gjonit nga votimi për kryetarin e Gjykatës së Apelit në Tiranë. Malaj kërkesën e tij e ka paraqitur me shkrim në adresë të ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, një ditë para mbledhjes së KLD-së.
“Në lidhje me procesin e vlerësimit të kandidaturës sime për Kryetar të Gjykatës së Apelit Tiranë, çmoj se pozicioni i z. Gjin Gjoni në detyrën e anëtarit të KLDsë, është në konflikt të hapur interesi. Kjo
për arsye se tashmë është bërë publik fakti që zoti Gjoni ka depozituar kallëzim penal ndaj personit tim, më datë 17 prill 2014, regjistruar në Prokurorinë e Përgjithshme, me nr. 1264 Prot. Kjo çështje, pavarësisht se është pushuar nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim datë 24.04.2014, përbën një fakt serioz, i cili ndikon në këtë vendimmarrje të veçantë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke kërkoj që ky anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të mos marrë pjesë në asnjë fazë të procesit të vlerësimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave për postin drejtues të kësaj gjykate, pasi gjendet në kushtet e pengesës ligjore dhe konfliktit të hapur të interesit”, theksohej më tej në kërkesën e firmosur nga Alaudin Malaj.
Më tej ai shkruan në dokumentin e dërguar ministrit të Drejtësisë se “përjashtimi i Gjin Gjonit nga ky proces, duhet të bëhet për të hequr çdo dyshim për njëanshmëri në lidhje me ecurinë e procesit të
vlerësimit të kandidaturës sime, me qëllim që ky proces të jetë sa më transparent, i drejtë dhe për të respektuar garancitë maksimale procedurale”.
Gjin Gjoni terhiqet nga votimi ne KLD
Pas kërkesës së Malajt, Gjin Gjoni hoqi dorë nga votimi në KLD. Burime nga Këshilli i Lartë për Drejtësi bënë të ditur se Gjoni hoqi dorë nga votimi për Malaj pa pritur votimin e kërkesës së ministrit i Drejtësisë, Ylli Manjani.
Alaudin Malaj, ndërkaq është një ndër kandidatët për kryetar të Gjykatës së Apelit.
Mbledhja e KLD-së nisi ditën e hënë, ndërsa një pikë tjetër në rend të ditës, veç zgjedhjes së kryetarit të Gjykatës së Apelit, është edhe zgjedhja e 6 anëtarëve për Gjykatën Administrative të
Apelit. Këta gjyqtarë qe u zgjodhen sot do t’u shtohen anëtarëve aktualë pas kërkesave të shumta të bëra nga kryetari i kësaj gjykate.
(d.b/BallanWeb)
