Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar vijimin e garës për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke bërë të ditur se 7 kandidatët e përzgjedhur do t’i nënshtrohen dy testimeve më 22 korrik, në ambientet e SPAK, duke nisur nga ora 09:00.
Në këtë fazë të rëndësishme, kandidatët do të zhvillojnë testin me ese, me kohëzgjatje 60 minuta, si dhe testin logjik, që do të zgjasë 45 minuta.
Të dy testet do të kryhen në të njëjtën ditë dhe janë pjesë e procesit të vlerësimit profesional dhe analitik të kandidatëve për një nga pozicionet më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë penale në vend.
Ndërkohë, SPAK ka njoftuar edhe për fazën pasuese të garës. Më pas, të njëjtët kandidatë do t’i nënshtrohen testit të poligrafit, i cili shërben për të garantuar integritetin dhe besueshmërinë e aplikantëve që synojnë të marrin drejtimin e BKH-së.
