KORCE– Dy kandidatët që garojnë për kreun e PD, Lulzim Basha dhe Eduard Selami kanë shkëmbyer replika në lidhje me marrëdhëniet e tyre me organizatën e Sorosit. Gjate prezantimit të platformave respektive para demokrateve në Korcë, njëri prej tyre i ka pyetur të dy kandidatet, se cili ishte pozicioni i tyre në raport me Sorosin. Selami është shprehur se ai nuk ka asnjë lidhje me ketë organizate, ndërsa fakti qe bashkëshortja e tij punon për fondacionin e Xhorxh Soros nuk ka asnjë ndikim në vendimmarrjen e tij.
Gazetarja Lediona Xheladinaj raporton për ‘BalkanWeb’ se edhe Basha ka mohuar të ketë lidhje me multimiliarderin, duke e konsideruar organizatën e tij, si mbështetëse te socialistëve dhe Ramës. Selami i ka kërkuar Bashës të tregohet i sinqertë dhe të tregojë që bursën ne Holandë e ka marrë pikërisht nga Sorosi.
Madje, Basha dhe Grida Duma vijoi Selami e kanë falënderuar publikisht Xhorxh Soros për mundësimin e studimeve dhe për ketë ka edhe filmime. Por Basha, nuk ka pranuar argumentin e Selamit, duke u shprehur se bursa e tij nuk është financuar nga Soros ,por nga një fondacion tjetër.
(d.d/BalkanWeb)
