Analisti Ergys Mërtiri ka deklaruar se për herë të parë në PD nuk po lejohet që të kandidosh. Gjatë një intervistë në “News24”, Mërtiri komentoi garën për kryetar, duke thënë se Berisha po punon vetëm për të vrarë alternativën brenda opozitës.
Pra sipas Mërtirit gjithë anëtarësia e pakënaqur brenda PD po pengohet që të ketë një përfaqësues. Më tej nënvizoi se Berisha po sillet si Rama dhe se nuk pranon asnjë mendim kundër.
“Për herë të parë jo që vidhen zgjedhjet, por nuk të lejon më as të kandidosh. Berisha kërkon të qëndrojë në krye të PD. Berisha ka aq fuqi ose të fitojë ose të manipulojë zgjedhjet brenda, por ka një tjetër problem se konkurrimi do prodhojë një fraksion antiberishist brenda partisë. Mërtiri gjithë anëtarësia e pakënaqur brenda PD po pengohet që të ketë një përfaqësues. Sepse në momentin që do ketë kandidat Berisha tmerrohet. Nëse do dalë dikush Berisha kërkon ta përjashtojë fare sepse sado i dobët të jetë konkurrenti përballë, synon ta largojë. Ai kërkon ta mbajë si parti autokratike dhe jo demokratike. Ai tani po sillet si Rama”, tha mes të tjerash ai.
Mërtiri shtoi se një opozitë ku ka diktaturë brenda përballë një pushteti diktatorial nuk fiton. Kreu i PD sipas tij po përjashton të gjitha zërat kundër, këtë po e bën edhe me Ervin Salianjin.
“Berisha zgjedh të qëndrojë në krye të një partie autokratike që e le Berishën në krye. Berisha e di shumë mirë që një parti demokratike nuk do ta mbante atë në krye të partisë. Ai zgjedh hallin e vet dhe jo të opozitës dhe ndaj Rama qëndron aty ku është dhe Berisha në krye të PD. Nëpërmjet Berishës Rama qëndron në pushtet. Të akuzosh çdo kundërshtar si të shitur te armiku është qesharake, dhe tregon një mekanizëm që përjashton mendimin ndryshe, këtë bënte Enver Hoxha. Pra Berisha jo pengon vetëm kundërshtarë brenda partisë, por kushdo që artikulon gjëra të arsyeshme shpallet armik dhe përjashtohet. Berisha ka armik jo Salianjin apo Alesia Balliun, por ka armik arsyen”, tha ai.
