TIRANE-Gara për Bashkinë e Tiranës ka nisur ditët e fundit në rrjetet virtuale e media. Kryeministri Rama ka fokusuar në dy albumet e tij të fundit, të postuara në Facebook, deputeten e LSIsë Monika Kryemadhi, si rrallë ndonjëherë.
Si pjesë e delegacionit që shoqëroi kreun e Ekzekutivit në Bruksel më 9 dhjetor, ishte dhe deputetja e LSI-së. Por, përveç fotografive në grup nga takimet që u zhvilluan me krerët e Parlamentit Europian, Kryeministri Rama ka publikuar dhe një foto të Monika Kryemadhit gjatë një forumi ku Kryeministri ishte në podium dhe mbante fjalën.
Mediat shkruajnë sot se fokusimi i Kryemadhit në këtë foto si personazhi kryesor, tregon për vëmendjen e kreut të qeverisë për ta portretizuar figurën e deputetes së vjetër të Parlamentit shqiptar. “Panorama’ thekson se nëse i shtojmë këtu dhe maninë e Kryeministrit si një kurator i kujdesshëm i fotografive që ai poston në Facebook, tregon se asgjë nuk ndodh rastësisht. Në një tjetër foto, edhe më të qartë, Monika Kryemadhi është e fokusuar qartë në qendër të fotos, ndërsa personat e tjerë në sfond shfaqen flu.
Ndërkaq e përditshmja ‘MAPO’ shkruan se përpara disa muajsh, një gazetar i huaj bëri një shkrim për Shqipërinë, mes rreshtave futi edhe lajmin se Monika Kryemadhi është kandidatja më e mundshme e koalicionit të majtë për kryetare të Bashkisë së Tiranës.
Sipas kësaj të përditshmeje, në të vërtetë ai vetëm sa u dha më shumë zë spekulimeve që përfliteshin prej kohësh në Tiranë.
Spekulimet në këtë drejtim janë shtuar shumë, sidomos pas hapjes së një faqe në FB, e cila mbështet Pandeli Majkon si kandidat.Por së fundmi një faqe e tillë është hapur edhe në mbështetje të Monika Kryemadhit.
“Ndërsa këto nuk thonë asgjë për faktin se kush do jetë kandidat i të majtës, dy foto të publikuara nga kryeministri Edi Rama në FB, ku shfaqet Monika Kryemadhi, u kanë dhënë zjarr zërave se Rama po e mbështet për të garuar për këtë detyrë. Edhe kjo nuk është se thotë ndonjë gjë për kandidatin e mundshëm, por mban gjallë spekulimet, që do jenë akoma më të shumta tani që dihet edhe data e zgjedhjeve vendore”, citon ‘Mapo’.
(d.b/BalkanWeb)
