Lëvizjet në pankinat e futbollit italian kanë hyrë në fazën më të nxehtë dhe gjithçka nis nga Napoli. Aurelio De Laurentiis ka vendosur të besojë te Massimiliano Allegri për të drejtuar  Napoli, një zgjedhje që automatikisht ka ngushtuar garën për stolin e kombëtares italiane.

Tashmë, për pankinën e Italisë mbeten dy kandidatë kryesorë: Antonio Conte dhe Roberto Mancini. Conte është aktualisht pa skuadër pas mbylljes së aventurës me Napolin dhe konsiderohet favoriti kryesor për rikthimin në krye të “azzurrëve”. Një rikthim që do të kishte edhe një domethënie emocionale për trajnerin italian, i cili nuk e ka fshehur kurrë lidhjen e fortë me kombëtaren.

I njohur për karakterin e tij të fortë dhe aftësinë për të krijuar grupe kompakte e konkurruese, Conte shihet si profili ideal për të rikthyer Italinë në nivelet më të larta, sidomos pas zhgënjimeve të viteve të fundit. Federata italiane po vlerëson seriozisht mundësinë e rikthimit të tij, edhe pse operacioni ekonomik mbetet i kushtueshëm.

Nga ana tjetër qëndron Roberto Mancini, kampioni i Europës me Italinë në vitin 2021. Aktualisht në Katar te Al Sadd SC, Mancini nuk duket i bindur për të vazhduar gjatë në Lindjen e Mesme dhe mbetet një alternativë konkrete për federatën. Megjithatë, largimi i tij i papritur nga Italia në vitin 2023 për të pranuar ofertën e Arabisë Saudite vazhdon të peshojë në opinionin publik dhe brenda ambientit federativ.

Në sfond mbetet edhe ndikimi i mundshëm i Giovanni Malagò, emër që shihet pranë presidencës së ardhshme të federatës italiane dhe që konsiderohet mbështetës i Mancinit.

Por sot, të gjitha sinjalet çojnë drejt Antonio Contes. Italia duket gati t’i besojë sërish një trajneri që di të ndezë shpirtin luftarak të skuadrës dhe të rikthejë entuziazmin te “azzurrët”. Vendimi final pritet në javët e ardhshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb