Dy notaret italiane Benedetta Pilato dhe Chiara Tarantino, pas përfundimit të Kampionatit Botëror të Notit në Singapor, përjetuan momente tensioni në aeroportin e këtij shteti, ku u ndaluan nga autoritetet lokale nën dyshimin për vjedhje.
Sipas mediave italiane, kamerat e sigurisë së aeroportit kapën momentin kur Chiara Tarantino dyshohet se futi në çantën e Benedetta Pilato disa sende të vjedhura. Si pasojë, të dyja notaret nga rajoni i Pulias u ndaluan nga policia, iu konfiskuan pasaportat dhe u morën në pyetje. Ato kaluan disa orë në ndalim, në pritje të sqarimit të situatës.
Pas njoftimit të ambasadës italiane në Singapor dhe ndërhyrjes së menjëhershme të Ministrisë së Jashtme Italiane, përmes ministrit Antonio Tajani, notaret u liruan. Përfaqësuesit diplomatikë siguruan një leje speciale për të lejuar largimin e tyre nga vendi, pasi u dhanë sqarime dhe kërkuan falje për incidentin. Ngjarja u mbyll me një paralajmërim zyrtar nga autoritetet e Singaporit për të mos përsëritur sjellje të tilla.
Pas përfundimit të Kampionatit Botëror më 3 gusht, Pilato dhe Tarantino kishin udhëtuar për pushime në Bali, së bashku me dy notare të tjera italiane: Anita Bottazzo dhe Sofia Morini. Edhe këto dy sportiste u ndaluan dhe u morën në pyetje nga autoritetet, derisa çështja u qartësua. Vetëm më pas të katër notaret u autorizuan për t’u kthyer në Itali, nga Singapori, ku kishin biletat e kthimit.
