TIRANE- Dy javë pas vrasjes së katërfishtë në Tiranë, Prokuroria dërgon për gjykim çështjen ndaj Kostandin Xhuvanit. 25-vjeçari akuzohet për “Vrasje në rrethana cilësuese” dhe “Prodhim dhe mbajtje të armëve pa leje”. Sipas prokurorisë, personi i dyshuar akuzohet për vrasjen e 4 personave, pas një konflikti të ndodhur më 4 nëntor 2014 në një lokal pranë Rrugës së Elbasanit, në Tiranë.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore, rezulton se autori i dyshuar ka qëlluar për vdekje në drejtim të shtetasve Edison Jaho dhe Enea Xhaj. Po ashtu, nga dinamika e ngjarjes, rezulton se, nga plumbat e qitur prej armës së përdorur nga i dyshuari Xhuvani, kanë mbetur të vdekur edhe shtetasit Arbër Demiraj dhe Gianpaolo Azzola. Sipas ekspertizës, rezulton se faktorë plotësues të qitjes me armë janë gjetur vetëm në trupin e shtetasit të dyshuar Xhuvani dhe konkretisht në dorën e djathtë të tij. Në këtë mënyrë, krahas dëshmive dhe rindërtimit të ngjarjes, provohet edhe shkencërisht që autori i vrasjes së 4 personave është shtetasi Kostandin Xhuvani”, thuhet në dosjen e prokurorisë së Tiranës që tashmë është çuar për gjykim.
Nga hetimet e organit të akuzës, ka rezultuar se Kostandin Xhuvani ka pasur një grindje të çastit me shtetasit Jaho dhe Xhaj në lokalin ku gjendeshin në tavolina të ndryshme. Pas një bisede me tone të larta, shtetasi Xhuvani dhe miku i tij, viktima Demiraj, fillimisht kanë dalë nga lokali dhe më pas janë kthyer brenda një kohe shumë të shkurtër. Pas rikthimit në lokal, shtetasi Xhuvani i është drejtuar shtetasve Jaho dhe Xhaj “keni ndonjë problem” dhe menjëherë u ka qëlluar me armë tip pistoletë, duke lënë të vdekur këta dy shtetas.
Në dosjen e përgatitur nga prokuroria thuhet se nga plumbat e qëlluar prej armës së tij, janë goditur edhe shtetasit Arbër Demiraj, i cili ishte në shoqërinë e Xhuvanit, si edhe shtetasi italian Gianpaolo Azzola, i cili gjendej në lokal në shoqërinë e një personi tjetër dhe që nuk kishin asnjë lidhje me palët në konflikt. Si rezultat i të shtënave kanë humbur menjëherë jetën shtetasit Edison Jaho, Enea Xhaj e më pas Arbër Demiraj, i cili është gjetur i vdekur në mjetin në të cilin po e vendosnin shokët e tij, Kostandin Xhuvani dhe Erald Sida (ky i fundit rezulton që nuk ka qenë në vendin e ngjarjes në momentin e goditjes me armë, por ka qenë shumë pranë lokalit), si edhe është deklaruar i vdekur në spital shtetasi italian Gianpaolo Azzola.
(m.k/BalkanWeb)
