Dinamo do të përballet me Vorën ditën e premte, në kuadër të javës së tetë të Superiores. Blutë do të synojnë të kthehen te fitorja pas barazimit, teksa ndaj Vorës pritet ta kenë jo pak të vështirë, duke parë edhe momentin që vorakët po kalojnë e sidomos pas fitores së fundit ndaj Elbasanit.
STADIUMI- Ndeshja mes Vorës dhe Dinamos, do të zhvillohet në stadiumin “Arena e Demave”. Vendimi është zyrtarizuar ditën e djeshme nga FSHF, duke zbuluar axhendën e ndeshjes, teksa nuk ka ndryshuar orari pasi do të zhvillohet në orën 14:00. Më parë ishte menduar të luhej në Laç, por kurbinasit përballen të shtunën me Burrelin në shtëpi dhe kërkojnë që të kenë fushë në kushte optimale.
NDRYSHIMET NË FORMACION- Dinamo do të duhet të bëjë pa shërbimet e Lorran, i cili është ndëshkuar me karton të kuq ndaj Egnatias dhe Gasama Karambas, që ka pësuar një dëmtim në stërvitje.
Ndaj Vorës, me shumë gjasa do të luajë titullar nga e majta Faton Neziri, ndërkohë që Klevi Qefalija pritet të rikthehet si titullar. Mesfushori ka pasur këtë sezon besimin e Dajës në shumë ndeshje, duke e luajtur edhe si titullar, teksa ndeshjen e fundit u aktivizua në pjesën e dytë ndaj Egnatias. Pjesa tjetër e skuadrës, ka qenë në kushte optimale dhe ndaj Vorës, pritet që të ketë surpriza në rreshtim.
