Kina deklaron se është e gatshme të bëjë çdo përpjekje për të arritur ribashkimin paqësor me Tajvanin, por njëkohësisht theksoi se nuk do të premtojë kurrë heqjen dorë nga përdorimi i forcës.

Paralajmërimi u publikua nga Ambasada Kineze në Japoni në një postim në platformën X, duke reaguar ndaj komenteve të kryeministres japoneze Sanae Takaichi për mundësinë e ndërhyrjes në rast agresioni kinez ndaj ishullit.

Në deklaratën e saj, Ambasada Kineze paralajmëron Tokion se çdo përfshirje e Japonisë në mbrojtje të Tajvanit do të interpretohet si akt agresioni.

“Nëse Japonia guxon të ndërhyjë… do të përballet me një përgjigje të fortë nga Kina,” thuhet në postim.

Pekini thekson se çështja e Tajvanit është “punë e brendshme kineze” dhe se ribashkimi kombëtar është çështje që i takon vetëm popullit kinez për ta vendosur. Kina rezervon të drejtën të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb