NGA ERJON SKENDAJ

TIRANE– Të gjithë qytetarët që do t’i drejtohen Urgjencës së re të Pediatrisë në kryeqytet, do ta kenë më të lehtë aksesin, pasi objekti ndodhet në hyrje të QSUT-së, në të njëjtat ambiente ku ka funksionuar edhe para viteve ‘90-të.

Kati i parë i ndërtesës ekzistuese 4-katëshe që ka shërbyer deri më tani në funksion të Kardiologjisë Pediatrike, i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë që ka prekur të gjitha ambientet duke nisur nga ballina e ndërtesës, sporteli, korridoret, dhomat e shtrimit që tanimë janë me ajër të kondicionuar.

Investimi është mundësuar nga donatorë privatë, çka pohohet nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ministrja lajmëroi gjithashtu fillimin e punimeve për rindërtimin dhe zgjerimin e Pediatrisë së QSUT-së me vlerë mbi 7.5 milionë euro.

Por nëse Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë një zgjidhje për momentin infrastrukturës së Urgjencës Pediatrike, vetë ministrja nuk ka një përgjigje se çdo të bëhet me stafin e pakët që shërben në këtë urgjencë, 2 mjekë dhe 3 infermierë për turn.

Rekordi i Urgjencave Pediatrike në QSUT u regjistrua në muajt e parë të vitit 2018 për shkak të mbivendosjes së dy epidemive fruthit dhe gripit, ku në 24 orë ky numër kaloi çdo parashikim, 520 vizita.

Situata nuk ndryshoi edhe pas ngritjes së 4 urgjencave të përkohshme në 4 poliklinika në kryeqytetet, pasi qytetarët preferonin më mirë rrugën e shkurtër, direkt e në QSUT.

Vitin e fundit situata në Urgjencën Pediatrike u agravua deri në atë pikë saqë irritimi i familjarëve për radhët e gjata të pritjes ra mbi personelin mjekësor, ku një infermiere u dhunua në vendin e punës, ndërsa në një rast tjetër konflikti mes prindërve për radhën arriti deri në kërcënimin me armë duke shokuar të gjithë dëshmitarët në vendngjarje.

Kapacitetet e urgjencës së re pediatrike në QSUT pritet të vihet në provë me nisjen e stinës gripale në muajt nëntor, dhjetor dhe janar, pasi me të njëjtin staf të cunguar, do t’i duhet të përballojë urgjencat e Tiranës me 1 milion banorë dhe atyre nga rrethet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb