TIRANE – Prej disa ditësh, Partia Demokratike, po deklaron se biznesmeni Gaz Demi, president i Klubit te Futbollit “Partizani”, qëndron pas disa projekteve të mëdha, duke aluduar se kjo kushtëzohet nga lidhjet e ngushta të tij me familjarë të kryeministrit Rama.
Lidhur me këto akuza, Z. Demi i shtroi një pyetje ish-kryeministrit Berisha.
“Çfarë mendimi ka për miqësinë time me Shkëlzen Berishën? Unë nuk e fsheh se jam mik me Shkëlzen Berishën dhe ai më ka mik. Kam mik dhe më ka mik edhe Olsi Rama. Unë jam biznesmen, jo politikan dhe nuk i përflas miqësitë e mia”- tha ai.
Pas kësaj deklarate ka ardhur edhe reagimi i ish-¬kryeministrit Berisha. Në faqen e tij në “Facebook”, Berisha ka deklaruar se “Rama po mundohet të mbrohet me gojën e Gaz Demit, i cili si mburojë nxjerr miqësinë gjoja me Shkëlzenin”.
Postimi i Berishës në Facebook:
Të dashur miq, ditën e enjte në Parlament, denoncova vjedhjet e buxhetit të shtetit nëpërmjet koncesioneve nga Edi Rama. Në fjalën time theksova:
“Ato që janë koncesione publiko-private të tyre janë hajdutëri publiko-private, më të neveritshmet më të tmerrshmet. Po TVSH-ja! Në botë nuk di një shtet që lëshon tatimet, absolutisht. Po pse i lëshojnë tatimet? Kompania e huaj, që është një kompani serioze bastesh, i lutet Olsi Rama dhe Gaz Demi, të dy, a na e merr ti këtë punën e mbledhjes së TVSH? Ndërsa kompania i thotë se nuk është tek punët e mia kjo, nuk është fushë e imja. Ajo thotë se unë jam kompani serioze bastesh, në Honk Kong. Jo i thonë këta. Marrin dhe fusin edhe Mjerot e stër Mjerot, langonjtë…. Të gjitha këto i kanë botuar mediat tuaja. Unë i kam informacionet e sakta.
Tani do ti japin 100 milion shpërblim. Zotëri ti po i bën shqiptarët të harrojnë vjedhjen e floririt që u bë në Krrabë. Ky është një akt i shëmtuar, anti kushtetues. Unë i them Edi Ramës, tërhiqu nga këto, se në mënyrë absolute do të bëhesh përgjegjës për çdo qindarkë që po vjedh bashkë me klanin tënd. Nuk të thash unë se ishte Olsi, e thanë gjithë mediat, të nxorën gjithë të dhënat se Olsi ishte me kompaninë. Në çdo rast ti duhet ta mbyllje këtë aferë dhe do tu tregojë shqiptarëve se kjo nuk do të ndodhë kurrë.”
Kurse dje PD akuzoi Edi Ramën se po i jep klientelës së tij, ndërtuesit të sarajeve të Surrelit dhe Gaz Demit, kompaninë publike të sigurimeve INSIG.
Duke mos mohuar dot asnjërën prej këtyre akuzave të rënda e konkrete, Edi Rama i pashpresë mbrohet me gojën e Gaz Demit, i cili si mburojë nxjerr gjoja miqësine e tij me Shkëlzen Berishën. Me këtë rast dua ti them Edi Ramës:
Se pari, miqësia me Sali Berishën apo cilindo familjare të tij, e cilitdo qofte nuk është dhe nuk do jetë kurrë liçensë për të vjedhur ti dhe anturazhi yt pasuritë publike të këtij vendi
Së dyti, meqënëse për të justifikuar vjedhjet e mëdha të tua me Olsin, Gaz Demin, Carapulin etj, i ke kërkuar Gaz Demit të nxjerrë si mbrojtje për ty njohjen e tij me Shkëlzen Berishën, mos harro se ti në opozitë nuk ke ngritur asnjë akuzë që Gaz Demi ka përfituar në mënyrë të paligjshme fonde nga PD. Nëse ke ndryshuar mendim sot që ke pushtetin mund të hetosh sot dhe t’ja konfiskosh të gjitha, por nuk ka “miqësi” apo “kërcënim” që mund të mbulojë apo justifikojë akuzat që bëhen sot për përfshirje të tij dhe vëllait tënd në vjedhjen e fondeve publike me koncesionin e TVSH. sb
(er.nu/BalkanWeb)
