Ambasada e SHBA në Tiranë ka shpërndarë një deklaratë të zëdhënëses së DASH, Tammy Bruce, lidhur me lirinë e medias – deklaratë e cila vjen në një kohë kur ndaj mediave të Focus Group ku përfshihen News24, BalkanWeb, Panorama, Gazeta Shqiptare dhe Radio RASH po ushtrohet një presion dhe trysni e paprecedentë për të paralizuar funksionimin mediatik të tyre.

Fillimisht u zaptuan mjediset e punës dhe më pas u fik sinjali i transmetimit të News24, ndërsa gazetarët prej 6 ditësh nuk lejohen të aksesojnë vendet e tyre të punës, por lihen në rrugë dhe pengohen nga Policia e Shtetit, ajo Ushtarake dhe punonjësit e KAYO.

Në deklaratën e DASH thuhet se liria e shprehjes është themelore në një demokraci funksionale, ndërsa theksohet se qeveritë përdorin censurën dhe mbikëqyrjen arbitrare ndaj zërave kritikë ndaj tyre.

Deklarata e DASH: 

“Ne e konsiderojmë lirinë e shprehjes një përbërës themelor të një demokracie funksionale. Shoqëritë forcohen nga shprehja e lirë e mendimeve dhe censura qeveritare është e patolerueshme në një shoqëri të lirë.

Liria e shprehjes mbetet e kërcënuar në shumë pjesë të botës, siç theksohet në Raportin e të Drejtave të Njeriut të vitit 2024. Qeveritë vazhdojnë të përdorin censurën, mbikëqyrjen arbitrare ose të paligjshme dhe ligje kufizuese kundër zërave që nuk u pëlqejnë, shpesh mbi baza politike ose fetare.

Dhe, pavarësisht se sa i papajtueshëm mund të jetë fjalimi i dikujt, kriminalizimi ose heshtja e tij me forcë shërben vetëm si një katalizator për urrejtje, shtypje dhe polarizim të mëtejshëm.” – Tammy Bruce, Zëdhënëse e Departamentit të Shtetit, 12 gusht 2025, Uashington DC.

(BalkanWeb) 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb