Në emisionin Autokton të autores Anila Ahmataj u trajtua historiku i “Qytetit të Ledhes” dhe mulliri mbi 500 vjeçar…

Aty ku lugina e lumit të Shushicës hapet mes maleve të Labërisë dhe ku ujërat e Smokthinës rrjedhin drejt saj si damarë të një toke të lashtë, shtrihet fshati Brataj, një vendbanim që mban në trupin e vet shtresa të shumta historie, nga koha ilire deri në ditët tona. Brataj ndodhet rreth 40 kilometra në juglindje të Vlorës. Zona ku ndodhet Brataj është një nga krahinat më karakteristike të Labërisë. Lugina përshkohet nga lumi i Shushicës dhe nga degë të tij si Smokthina, ndërsa rreth e rrotull ngrihen male, kodra dhe shpate të veshura me pyje e kullota.

Kjo gjeografi e ashpër, por e begatë, ka formuar një kulturë të fortë bujqësore e blegtorale.Dëshmitë dhe gjurmët tregojnë se kjo zonë ka qenë e banuar që në kohët e lashta. Studiuesit e lidhin territorin me fisin ilir të amantëve, ndërsa në afërsi ruhen edhe gjurmë të qytetit antik të Ledhes, që daton rreth shekullit II para erës sonë. Emri Brataj përmendet që në shekullin VIII dhe gjatë shekujve fshati ka qenë një qendër e rëndësishme e krahinës së Mesaplikut. Brataj ishte gjithashtu një vend ku takoheshin rrugët dhe idetë e kohës.

Çdo gur dhe çdo përrua në Brataj ka një emër.Toponimia e zonës është një hartë e kujtesës kolektive. Janë dëshmi të një historie të gjatë banimi dhe të ndërthurjes së kulturave që kanë kaluar nëpër këtë territor.Në territorin e Bratajt gjenden disa monumente historike e kulturore.Ndër më të njohurit është Ura e Bratit, një urë guri me tre harqe që qëndron mbi lum dhe që për shekuj ka lidhur rrugët tregtare të zonës. Legjenda popullore thotë se ura nuk qëndronte në këmbë derisa ndërtuesit murosën hijen e njeriut të parë që kaloi aty, një motiv i njohur në folklorin ballkanik. Në Brataj ndodhen gjithashtu rrënojat e Kishës së Shën Gjergjit, një monument kulture që dëshmon për shtresat e vjetra fetare dhe kulturore të zonës.Por përtej monumenteve të dukshme, trashëgimia më e madhe e këtij vendi janë veprat e ndërtuara nga vetë komuniteti, kanalet e ujitjes, rrugët e gurta, mullinjtë dhe strukturat tradicionale të ekonomisë rurale.Në qendër të kësaj trashëgimie qëndron një vepër e veçantë, një vepër që nuk ishte thjesht ndërtim.Ishte një sistem, ishte një ekonomi, një qytetërim i vogël prej guri, druri dhe uji.Mendohet se Mulliri i Bratajt, i njohur edhe si Mulliri Përzez, është ndërtuar rreth shekullit XVI, në të njëjtën kohë me vijën e madhe vaditëse të Bratit dhe me urën e famshme me tre harqe. Ishte koha kur mjeshtrit shqiptarë dinin të lidhnin ujin me gurin, nevojën me pragmatizmin dhe tokën me përjetësinë.Uji merrej nga lumi i Smokthinës. Ai devijohej me mjeshtëri dhe kalonte përmes një tuneli rreth 80 metra të gjatë,një ndërmarrje inxhinierike e rrallë për kohën.Në errësirën e atij tuneli uji udhëtonte si një frymë e gjallë për të dalë më pas me vrull e për të vënë në lëvizje mekanizmin që ushqente një krahinë të tërë.Populli nuk e la pa kënduar këtë vepër:

O qëndro Hasani ynë
Të bukur vure kufinë
More ujin në Smokthinë
Ngrite urën në brinjë

Kënga është dokument më i fortë se guri.
Ajo dëshmon për një kohë kur ndërtimi ishte akt komunitar dhe vepra publike ishte krenari kolektive.Mulliri i Bratajt nuk ishte një mulli i zakonshëm, ai kishte tre gurë bluarës,një për grurin, një për misrin, një për elbinKjo ndarje tregon jo vetëm specializim, por edhe prodhim të madh bujqësor.Nga Gumenica deri në Tërbaç, njerëzit sillnin drithin këtu. Mulliri ishte zemra ekonomike e krahinës.Uji përplasej mbi fletët e rrotës dhe energjia kinetike shndërrohej në rrotullim mekanik. Boshti i mullirit ishte i graduar me kujdes: pjesa e poshtme më e trashë për qëndrueshmëri dhe pjesa e sipërme më e hollë për balancë.Ky gradim teknik shmangte dridhjet dhe mbronte gurët.Në zemër të sistemit qëndronte ostoneci, mbështetësja ku prehej boshti. Ai vendosej në trungun e drurit të fortë të ilqes, i cili i rezistonte lagështirës dhe kalbëzimit.Pa ostonecin, boshti nuk qëndronte.Pa bosht, guri nuk rrotullohej.Pa rrotullim, nuk kishte bukë. Pagesa për bluarjen bëhej me ujeme, pjesa e drithit që mulliri mbante si shpërblim.Zakonisht ishte nga 3 deri në 5 për qind.Për 100 kilogramë grurë, mulliri mbante 3 deri në 5 kilogramë.Ishte një ekonomi e thjeshtë, por e drejtë.Pjesëtarët e mullirit bluanin pa ujeme, por me radhë, sepse drejtësia fillon nga brenda.Ndërtesa e mullirit kishte dy kate.Poshtë punonte mekanizmi.Sipër jetonte komuniteti.Dy furra piqnin bukën, ndërsa avllia me portë të madhe me qemer priste kafshët që sillnin thasët me drithë.Për ata që vinin nga larg kishte vend fjetjeje të thjeshtë: një qoshe me shtroje, një vatër dhe mbrojtje nga era.Mulliri ishte edhe bujtinë.

Tabani dhe dërstila shërbenin për rrahjen dhe larjen e rrobave popullore. Uji që bluante drithin pastronte edhe pëlhurën.Jeta dhe puna bashkëjetonin në të njëjtin ritëm.Në krye qëndronte millonai , pra mullixhiu, rojtar i gurëve dhe i radhës. Ai ishte tekniku i ujit që kontrollonte prurjen dhe mjeshtri që dëgjonte dridhjen e gurëve.Sot Brataj, si shumë fshatra të Shqipërisë, përballet me sfidën e zbrazjes së popullsisë. Shumë të rinj kanë emigruar dhe një pjesë e madhe e familjeve janë shpërndarë në qytete ose jashtë vendit. Dikur fshati kishte rreth 300 familje, ndërsa sot numri i tyre është shumë më i vogël.Megjithatë kujtesa e vendit nuk është zhdukur.Ajo jeton në këngë, në gurë, në emra vendesh dhe mbi të gjitha në veprat që njerëzit ndërtuan me duart e tyre.Sot ndoshta tuneli është i heshtur.Gurët nuk rrotullohen si dikur.Por uji i Smokthinës vazhdon të rrjedhë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: