Rrjeti SafeJournalists ka reaguar pas kërcënimit ndaj gazetarit të News24 Osman Stafa.

“Rrjeti SafeJournalists dënon mesazhin kërcënues të dërguar gazetarit shqiptar Osman Stafa, pas raportimit të tij mbi kushtet dhe dështimet e shërbimit në Spitalin Onkologjik të Tiranës”, thuhet në reagim.

Pas denoncimeve të vazhdueshme për mungesën e ilaçeve dhe pajisjeve në Spitalin Onkologjik, në adresë të Gazetarit Osman Stafa ka mbërritur një mesazh kërcënues, me qëllim intimidimin, frikësimin dhe tërheqjen e tij nga investigimet në këtë spital. Përmes një adrese anonime në rrjetet sociale, gazetarit Stafa i janë drejtuar me një gjuhë banale, fyese dhe kërcënuese duke i kërkuar që të mos paraqitet më në ambientet e Onkologjikut dhe të heqë dorë nga denoncimet mbi korrupsionin dhe abuzimet mbi pacientët.

Pas marrjes së mesazhit, gazetari i News24, Stafa i është drejtuar Policisë së Shtetit, ku ka bërë kallëzim penal, për kërcënim për shkak të detyrës. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar personin përgjegjës dhe se kush fshihet pas këtij kërcënimi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb