Në 5 vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit dhe poetit Dritëro Agolli, gazetari Hamdi Jupe ndan me lexuesit takimin e parë me të. Ndërsa sjell në vëmendje edhe bisedën e zhvilluar me të

Nga Hamdi Jupe

NJË MYSAFIR I PAPRITUR MES ACARIT

Në dëborën e madhe një metër të trashë të fundjanarit të vitit 1985, Dritëro Agolli u shfaq papritur në qytetin e Peshkopisë, bashkë me shkrimtarin Anastas Kondo, për t’u gjendur pranë krijuesve veriorë në ato ditë të vështira dimri. Nëpër qytet nuk lëviznin makinat nga akulli në rrugë. Dëbora kishte ngrirë në degët e pemëve dhe nuk rrëzohej prej andej. Jeta dukej si e ngrirë në vend. Në televizor jepeshin kronikat me helikopterët e ushtrisë që shpërndanin ndihma ushqimore nëpër fshatrat e thella të izoluara të veriut. Në Kukës kishin humbur jetën njerëz nga ortekët. Qumështi shpërndahej nëpër dyqane me tractor me zinxhirë. Isha mësues i letërsisë në gjimnazin e qytetit.

Ata erdhën me një makinë të lartë fuoristradë, prodhim rumun, e tipit “Aro”, me goma të veshura me zinxhirë. Se si erdhën dhe se si u shfaqën atje si lugetër, në mes të acarit, një djall e merrte vesh. Rruga Tiranë – Peshkopi në kohë të mire kërkonte nja pesë orë. Ndërsa në kohë të keqe dhe me borë, mund të mbeteshe në vend, të paktën në nja pesë pika të rrezikshme. Kisha pasur rast ta provoja këtë në dimër, duke mbetur i bllokuar për nëntë orë në autobusin e linjës në Qafën e Buallit.

Por ata erdhën dhe lajmi u përhap shpejt në qytetin e vogël Ardhja e tyre ishte një ngjarje e veçantë për këtë “ishull” të izoluar verior, jo vetëm se ishin shkrimtarë të njohur, por edhe për aktin që kishin kryer, duke çarë dëborën me zor, duke kaluar nëpër kiamet, me kokën në torbë, derisa kishin mbërritur atje. Një arsye më shumë kjo për të marrë pjesë në një takim të posaçëm të organizuar me ta, ashtu shpejt e shpejt në Shtëpinë e kulturës së qytetit. Të dy ishin të veshur me xhupa të trashë, me këpucë me qafa, me kokore pellushi dhe me doreza leshi. Kuptohej se këto I kishin marrë borxh diku nëpër Tiranë, sa për të ardhur në Dibër, sepse garderoba e tyre e përditshme personale nuk i përmbante ato lloj veshjesh në kryeqytet.

Thjesht, nuk u hynin në punë në Tiranë. Nga ana tjetër, nuk mund të vije në Peshkopi në ato ditë acari i veshur si levend. Ata e dinin këtë, se ishin njerëz të bredhur edhe më parë në zona të tilla. Tek i shihje të veshur ashtu, të dukeshin si dy gjahtarë që kishin dalë për të gjuajtur thëllëza në dëborë dhe u kishte rënë rruga rastësisht andej nga ne. Mirëpo, nuk ishte kohë thëllëzash. Duke qenë edhe ata të “udhëheqjes”, se ishin anëtarë të Komitetit Qendror dhe deputetë, u sistemuan për të fjetur te Shtëpia e Pritjes, vila e udhëheqjes në Peshkopi, se në hotel nuk kishte ngrohje, në temperature minus dhjetë gradë Celsius të atyre ditëve. Por ata dolën shpejt andej dhe erdhën te Shtëpia e Kulturës. Salla e vogël ishte e ftohtë, megjithëse kishte ngrohje me kalorifer dhe me dru. Po kjo nuk i pengoi pjesëmarrësit, shkrimtarë e artistë lokalë, të vinin.

Ishte një takim i çlirët. Njerëzit flisnin lirshëm për kohën, për motin, për vështirësitë që kishte krijuar dimri në zonat e veriut, për letërsinë etj. Për këtë të fundit u fol më pak, se s’ishte koha për të. Nuk të linin këmborët e mëdha të dimrit, të dëgjoheshin zilkat e vogla të letërsisë. Dritëroi, me atë të folurën e tij të ngadaltë dhe të thjeshtë, tha ndër të tjera se kjo është një situate e përkohshme që do të kalojë, sado e vështirë të duket. “Bora do shkrijë dhe uji do mbushë liqenet e hidrocentraleve dhe pastaj do kthehet në dritë”. Atëherë ishin përfunduar të tri hidrocentralet e mëdha mbi lumin Drin dhe e gjitha kjo borë një ditë do të përfundonte në basenet e tyre. Ky takim ishte si një zjarr i vogël që na ngrohte duart dhe shpirtin në mes të acarit. Ishte hera e parë që prekja dorën e tij, atë dorë që kishte shkruar veprat letrare që u shpjegoja prej vitesh nxënësve në shkollë. Tani do të kisha rast t’u mburresha atyre duke u thënë se unë e kisha takuar shkrimtarin e madhe, bash në qytetin ku jepja mësim.

Kur u ndamë, rrija e mendoja: ç’e shtyu kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të nisej në pikë të acarit nga Tirana e ngrohtë e të vinte deri në Peshkopi, përmes akullit dhe rreziqeve? Ai mund të rrinte i qetë në Tiranë, në zyrën e tij, në katin e dytë të Lidhjes së Shkrimtarëve, të pinte një kafe të ngrohtë në klubin e saj, të takohej me shokët krijues, të jepte edhe ndonjë intervistë për televizionin shtetëror mbi situatën. Pastaj të kthehej në gjirin e ngrohtë të familjes etj. Dritëroi atëherë i kishte kaluar të pesëdhjetepesat, moshë kjo jo fort e re për aventura në kohë bore.

Isha i bindur që ai nuk kishte marrë ndonjë urdhër nga “lart” për të ardhur atje, se ai vetë ishte “lart”. Ishte vetëm “urdhri” i ndërgjegjes së tij prej krijuesi që i thoshte se duhet të ishte atje ku është ngjarja. Dhe ngjarja ato ditë ishte atje, në veri, ku bora dhe akulli kishin pllakosur gjithçka. Dhe kjo ngjarje mund të mos vinte më. Të paktën prej tridhjetë e shtatë vjetësh, nuk është përsëritur më në vendin tonë një situatë e tillë. Kanë ndodhur përmbytje e tërmete, por borë e tillë, jo. Po e kape, e kape atë çast, përndryshe, të iku nga duart. Dritëroi nuk e la t’i ikte. Në mbyllje të takimit, ja edhe një fotografi mes “burrave” krijues dibranë para Shtëpisë së Kulturës së qytetit, me sfondin e ngrirë nga dëbora. Femrat mungonin në atë takim në mes të acarit. Nuk ishte kohë e përshtatshme për to të dilnin nga shtëpia. Përshtypjet e tij për këtë udhëtim në trojet e bardha ai i hodhi pastaj në një reportazh që botoi pas disa ditësh në gazetë. Nga reportazhi kuptuam se ata ishin kthyer shëndoshë e mirë në kryeqytet, se rruga ishte po aq e vështirë e me rreziqe edhe në kthim, saqë dukej sikur do të ktheheshin nga Siberia. Ne mbetëm atje, në humbëtirën e bardhë, ku kishim qenë edhe më parë. Por tani kishim me vete edhe mbresat dhe frymën e ngrohtë të takimit me shkrimtarin e madh, që na kishte mbirë nga dheu e n kishte vizituar, duke na thënë se bora do shkrijë e uji do kthehet në dritë. Kjo na e ngrohte disidisi shpirtin, se e kuptonim që nuk ishim tërësisht të braktisur në vetminë tone të akullt.

(Nga libri: “Shënimet e gazetarit”)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb