Mbi pesë dekada karrierë dhe një udhëtim radiofonik në dy epoka shoqërore shqiptare, janë itinerari dhe shenja e vlershme që na la, deri në ditët e fundit të jetës, kolegia dhe mikja e shumëkujt, Afërdita Selimi.

Sëmundja e rëndë e ndau para kohe nga jeta, duke realizuar një ndërprerje të beftë dhe dhimbëse për këdo që e njohu dhe veçanërisht, për dëgjuesit e vet në disa breza.

Afërdita Selimi mishëronte gazetaren, së cilës i shkon pohimi i Ernesto Sabatos…”dashuria përballon gjithçka..”
Me dashurinë e vet ajo i përballoi të gjitha; mundimet, lëvizjen, pengimet, privimet, dëshirat, pasionin, adhurimin, shërbimin dhe sinqeritetet. Stoicizmit të vet të pabujshëm i bëri mbështjellje të përditshme buzagazin dhe mirësinë e vet njerëzore. Një shenjë kjo, e kurdoshquar për fisnikërinë vetiake të Afërditës dhe vlerës së vet shoqërore.

Në pesë dekada, përmes frekuencës së radios publike, Afërdita iu paraqit publikut me zërin e shqueshëm të vetvetes, si raportuese dhe komentonjëse, si reportazhiste dhe gazetare prirëse për gazetarinë ekonomike në radion shqiptare në tërësi. Mjafton të artikulosh :”Afërdita Selimi Radio Tirana”, dhe mund të fitosh një asosacion të pahumbshëm raportueseje.

Afërdita ishte zëri radiofonik i skajeve dhe zonave rurale të Shqipërisë, kur vendi nuk kishte infrastrukturë dhe logjistikë qarkulluese. Ishte bija me mikrofon e një familjeje të virtytshme labërore në metropol që lakmonte artistët në vise të skajshme dhe adhuronte trashëgiminë kombëtare aty ku s’kishte sy dhe mundësi të tjerësh për ta ndricuar.

Në mijëra kronikat radiofonike të saj dhe disa dhjetra e qindra artikuj në shtypin e shkruar, qysh prej fundviteve ’70 deri në kohën e fundme të qenies së frymtë, është krijuar një koleksion punësh personale që përbëjnë një fond atipik gazetarie.

Afërdita punoi si reportere qysh në jetën studentore, më pas në Lushnjë, e vijoi kohëgjatë në RTSH dhe veçanërisht në Radio Tirana. Ciklet e saj “Otranto ‘97”, reportazhet në Labëri, në Myzeqe, në Shkodër dhe krahina të tjera të vendit, janë shenjë e bukur me zë të saj, në memorien e publikut, audiencave të gjera dhe shtypit vendor shqiptar.

Afërdita Selimi ishte nismëtare e gazetarisë së profilit ekonomik në Shqipërinë e pas ’90-ës.
Ajo themeloi në vitin 1998 dhe drejtoi në vazhdim, Lidhjen e Gazetarëve Ekonomike të Shqipërisë, LEGA. Ajo drejtoi me pasion dhe përkushtim profesional Departamentin e Lajmeve në Radio Tirana, sektorin për bashkëatdhetarët.

U zgjodh Kryetare e Bordit të Monitorimit të Medias pranë KQZ-së si dhe krijoi një kalendar kontributesh të cilat merituan vlerësime institucionale deri dhe titullin “Mjeshtër i madh” nga Presidenti i Republikës.
Afërdita Selimaj ishte një ndër themelonjëset dhe bashkëaktivistet e përhershme të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, duke merituar edhe çmimin e njohur “Vangjush Gambeta” në konkursin e njohur që zhvillon UGSH.

Dhimbja për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetares Selimaj ndihet në dhjetra dhe qindra homazhe dhe përkushtime in memoriam që miq e kolegë të saj, nga të gjitha viset shqiptare qarkullojnë, shkruajnë dhe artikulojnë në mediat e reja dhe hapësirat online. Eshtë një reagim që rrjedh prej ndërgjegjeve të shumta për një ndërgjegje të cilën e vlerësuam dhe e përkujtojmë si mishërim i së mirës, i së cilësishmes dhe mbi të gjitha: i lartësisë morale dhe qytetare.

Kjo gazetare në udhëtimin e gjatë profesional e mbarti të dukshme dhe jo të qëllimtë modestinë njerëzore, sikundër i ngriti në lartësi të përhershme ambicieje dhe dëshire profesionisteje udhëtimet dhe punët e kryera profesional. Kjo është një arsye jetëgjatë që mes miqve dhe kolegëve të vet, do të rishfaqet nëpër kujtesa si gazetarja që në zemrat nuk pati kurrë dyshime për çmimin real të mirësisë dhe përkushtimeve vetiake.

*Nga fjala e përmortshme në përcjelljen e koleges sonë të paharrueshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb