Gazetarja myslimane Kay Zon Nway e cila u arrestua në muajin shkurt për raportimin e protestave kundër grushtit të shtetit në Mianmar, mësohet se është vendosur në izolim për shkak se agjëron në muajin e Ramazanit.

Nilar Khine, avokatja e gazetares Nyaw e cila punon për faqen e internetit Myanma Now, theksoi në seancën e mbajtur dje se gazetarja po mbahet në izolim që prej 28 prillit.

Avokatja Kihine transmetoi se Nyaw po agjëron me rastin e muajit të Ramazanit dhe se ajo mbahet në izolim me pretendimin se po kryen grevë urie. “Nyaw nuk ka ndërmarrë ndonjë protestë përgjatë kohës që mbahet brenda. Ajo ka mbajtur agjërim vetëm për shkak të Ramazanit. Ajo po mbahet pa arsye me burgosje në izolim”, tha Kihine e cila shtoi se i ka bërë kërkesë gjykatës ushtarake që gazetarja të nxirret nga izolimi.

Sipas të dhënave nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), që nga 1 shkurti e deri më tani në Mianmar ndodhen të arrestuar 48 gazetarë.

Grusht shteti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Deri më tani 772 civilë kanë humbur jetën në Mianmar si pasojë e ndërhyrjes me armë nga ushtria e Mianmarit kundër protestuesve.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb