Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me përplasjet mes studentëve protestues dhe Policisë para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Në një deklaratë, Bardhi dënoi atë që e cilësoi si dhunë të policisë ndaj studentëve, duke theksuar se ata po ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për protestë.

Ai u ndal edhe te situata në Spitalin e Traumës, ku ndodhen deputetët demokratë Jorida Tabaku dhe Tritan Shehu, duke pretenduar se nuk ka efektivë policie të shtruar, ndërsa të paktën tre qytetarë me dëmtime serioze po marrin trajtim mjekësor.

Bardhi u bëri thirrje studentëve dhe qytetarëve nga Tirana dhe e gjithë Shqipëria që t’i bashkohen protestës, pa dallime partiake apo ideologjike, duke e krahasuar situatën me lëvizjen studentore të vitit 1991.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së deklaroi gjithashtu se kërkesat e studentëve, pedagogëve dhe qytetarëve janë të drejta dhe se opozita i mbështet ato. Ai kërkoi largimin e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar këtë si zgjidhjen për kërkesat e studentëve dhe të kategorive të tjera shoqërore.

Në përfundim të reagimit, Bardhi kërkoi lirimin e menjëhershëm të personave të ndaluar, të cilët i cilësoi si të ndaluar në mënyrë të paligjshme, si dhe vënien para përgjegjësisë të personave që, sipas tij, janë përgjegjës për dhunën gjatë protestës.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Dënojmë me forcën më të madhe dhunën e egër të policisë së narkoshtetit kundër studentëve, të cilët janë duke ushtruar të drejtën kushtetuese për protestë.

Aktualisht në Spitalin e Traumës ku ndodhen kolegët deputetë Jorida Tabaku dhe Tritan Shehu, ndryshe ngasa mashtroi Qeveria, nuk ka asnjë punonjës policie të shtruar në spital, ndërkohe që ka të paktën 3 qytetarë me dëmtime serioze që po marrin trajtim mjekësor.

I bëjmë thirrje çdo studenti dhe studenteje, çdo qytetari të lirë, të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, pa dallim partie dhe ideologjie, që ashtu si në vitin 1991, t’i bashkohet rinisë studentore.

Theksojmë se kërkesat e studentëve dhe të pedagogëve dhe qytetarve janë të drejta dhe ne i mbështesim plotësisht. Gjithashtu, për këto kërkesa dhe për shumë të tjera, të fermerëve, minatorëve, fasonëve, profesioneve të lira, ka vetëm një zgjidhje: largim i menjëhershëm i Edi Ramës, kreut të narkoshtetit.

Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të ndaluarve në mënyrë të paligjshme dhe dënimin e autorëve dhe urdhëruesve të dhunës shtazore!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb