Pranoi ta merrte Partizanin në një moment tejet të vështirë, kur më së shumti kishte mundësi të dështonte sesa të korrte sukses.
Skënder Gega nuk u mendua shumë, e “verboi” ngjyra e kuqe dhe vetëm me një bisedë të shpejtë me presidentin Demi arriti të firmoste me klubin e kuq, me misionin për të shmangur katastrofën që dukej në horizont. E nisi mirë, duke arritur të mposhtë Egnatian në dy ndeshje, si dhe Laçin, por më pas humbi derbin dhe gjysmëfinalen e Kupës në kthimin me rrogozhinasit. Praktikisht, u duk sikur skuadra preku sërish fundin, u kthye në situatën para Gegës. Por, emrat e mëdhenj, që kanë kaluar të tilla momente në karrierë, dinë ta ngrenë skuadrën në momente të vështira dhe Gega ia doli. Trajneri tropojan duket si ai “injeksioni” që u nevojitej të kuqve për të shpëtuar sezonin.
SAKRIFICË – Pika më e fortë e tij është forcimi dhe motivimi i grupit, ndërtimi i një skuadre që sakrifikon. E tillë ishte ndeshja kundër Elbasanit, një sfidë që vinte pas 120 minutash rraskapitëse kundër Egnatias, por me të kuqtë, që në kohë rekord arritën të rikuperoheshin falë një plani të mirëmenduar nga drejtuesit. E gjithë skuadra ka qëndruar në hotelin e klubit për dy net, bashkë me të gjithë stafin, përfshirë edhe mjekët. Në këtë mënyrë, përveç stërvitjes, skuadra ka kaluar orë të tëra edhe me trajtime dhe fizioterapi për t’u rikuperuar në kohë. Falë impenjimit kundër Elbasanit, gjërat shkuan mirë në këtë aspekt. Titullarët u rikuperuan dhe skuadra nuk shfaqi lodhje.
TAKTIKA – Në një skuadër tejet të cunguar dhe jo me cilësinë që duhet për të përballuar Superioren në këtë fazë, Gega nuk kishte ndonjë gjë të madhe për të bërë në aspektin taktik. Gjithsesi, diçka e bëri dhe në dy ndeshjet e fundit nuk doli keq, megjithëse ka vend për përmirësim. Në kushtet kur të kuqve u mungon një mesfushor me tipare defensive, Gega zgjodhi të provojë Sembenë, që në kuadrin mbrojtës arriti ta eklipsojë Kristi Qosen në ndeshjen e fundit, duke fituar thuajse çdo duel. Mbetet të shihet se sa kjo lëvizje do të funksionojë në ndeshjet në vijim.
VËSHTIRËSITË – Fakti është se zgjidhjet nuk janë të shumta as në krahë, aty ky sërish Gega detyrohet të aktivizojë qendërmbrojtës në të djathtë, pasi Osmanllari sërish nuk e ka bindur. Gjatë gjithë sezonit kemi parë të rinj të ndryshëm që ngjiten në ekipin e parë dhe provojnë veten, por deri më tani askush nuk ka bindur asnjërin prej trajnerëve. Mjafton të themi se kandidatë për ekipin e parë si Ogunleje, Mintongo, Jata apo Niangula ishin pjesë e ekipit U-19 dhe nuk arritën të shmangnin humbjen kundër Skënderbeut në finalen e titullit të kësaj grupmoshe.
