NGA GAZMEND BERJALLOLLI*
TIRANE- Në nji video-intervistë të kanalit “TCh” me albanologun Wilfried Fiedler, të zhvilluar kohët e fundit në Tiranë (gjendet lehtë në internet), u fol me buzukologun gjerman edhe për pozicionime të sotme kundrejt gjuhës standarde. Qe pyetja e gazetares dhe përgjegjja në fjalë e Fiedlerit, që ftojnë për diskutim. (Argumentet e tij, të zbërthyera, paraprihen me numra në transkript.) (8:30) Pyetje: Ka pasë debate mes gjuhëtarëve shqiptarë që në gjuhën shqipe të kishte më shumë elemente të gegnishtes. A është e konsoliduar mirë gjuha letrare shqipe? (8:40) Fiedler: Unë mendoj se këtu duhet ta bëjmë nji dallim. [1] Për sa i përket fjalorit, sa më shumë të merret nga gegnishtja. Por, për sa i përket strukturës, duhet – sipas mendimit tim, se është puna juaj, nuk është puna e të huajve – por mua më duket se p.sh. [2] futja e infinitivit do të bënte vështirësi shumë të mëdha, sepse [2A] toskët nuk janë në gjendje ta përdorin – populli i thjeshtë – ta përdorë ashtu si duhet. Nuk është në gjendje… [2B] duhet ta mësonte si nji gjuhë të huaj, e kuptoni?
STANDARDI ME PASKAJORE, GJUHË E HUAJ PËR POPULLIN E THJESHTË TOSK
Ta zbërthejmë së pari argumentin [2] mbi vështirësitë që bjen futja e paskajores (për toskët), edhe t’i marrim, për do kohë, të mirëqena argumentet e Fiedlerit. Pohon se [2A] toskët nuk janë në gjendje me e përdorë paskajoren si duhet, e se [2B] shqipen me paskajore do t’u duhej me e mësu si nji gjuhë të huaj. Duke i mbajtë të mirëqena, argumentet le t’i përmbysim. Nëse toskëve të thjeshtë shqipja standarde me paskajore u vjen “gjuhë e huaj”, atëherë po kaq “e huaj” u vjen gegëve shqipja standarde pa paskajore. Nji që në sistemin e vet përdor struktura të tipit “A mundesh me shkue me i thanë me ardhë pak këtu?” del në ujëra krejt të huaja kur i duhet me e ndryshu strukturën në “A mund të shkosh t’i thuash të vijë pak këtu?”.
Fiedleri, e as të tjerë që mbështesin këtë linjë mendimi, nuk sqarojnë më tej pse është në rregull standardi në këtë pikë, që gegëve u vjen si “gjuhë e huaj” pa paskajoren, sa kohë që ai veç toskëve t’u rrjedhë si gjuhë burimore dhe pa u lënë ndjesi “të huaje” me paskajoren brenda. Fiedler mbase nuk e ka të qartë se futja e paskajores në strukturë as nuk është se imponohet gjithmonë e detyrimisht, duke qenë se mundësi paralele për ta kumtu të njejtin material kuptimor do të vazhdojë me pasë: sintaksa “duhem me shku” nuk është se dikton të mos përdoret “duhet të shkoj”, sa me pru nji shembull. Dhe pa i nda përdoruesit në “gegë” e “toskë”, përdoruesi që vërtet ka ndonji problem çfarëdo me njërën sintaksë, është i lirë me e përdorë tjetrën, e stilisti i mirëpritur me i ndërkëmby kur e si të dojë. Kuptohet, vetë argumenti [2A] (toskët e thjeshtë nuk janë në gjendje…) nuk ka kurrfarë baze në realitetin sociolinguistik: toskët janë në gjendje me e përdorë paskajoren pa fijen e problemit.
Dhe kundërargument për këtë janë jo veç shembujt e panumërt të shqiptarëve jugorë që paskajorizojnë kur kështu duan, por edhe vetë thjeshtësia e trajtës paskajore: në shumicën dërrmuese të rasteve thjesht ke me e shkurtu pjesoren e me ia paravu pjesëzën me. Fundja, argumenti është krejt në favor të paskajores: nji shqipe me paskajore veç çka kish me i vetëdijesu përdoruesit e strukturave pa paskajore se përmasat e asaj që njihet si shqipe standarde, e prandaj detyrimisht “korrekte” (qysh standardi perceptohet prej përdoruesve të tij), kapërcejnë arealet veç të shqipes toske, dhe kjo, ç’është e drejta, kish me shërby si nji element fort i fortë përafrues mes dy gojëve të shqipes, e i shqiptarëve vetë. Aktualisht, nuk ka nji arsye pse folësi i toskërishtes të mbajë vesh për me qëmtu njisi gjuhësore prej arealesh gegnishtfolëse, tek këto i kundron thjesht si “dialekte”, me fjalë të tjera, të nënrendituna e të padenja për ndonji shqyrtim, meqë vetë standardi ia dikton këtë optikë kundrimi. Me hapje ndaj strukturave të reja në shqipen standarde, hapen mundësi të reja, në rrafshe gjuhësore e ç’është më me rëndësi, jashtëgjuhësore, dhe kjo është, o do të duhej me qenë, ideja mbrapa nevojës për hapje.
SA MË SHUM FJALË PREJ GEGNISHTES
Me iu kthy tash argumentit [1] të Fiedlerit, që duket dashamirës ndaj gegnishtes. Pohohet aty: “Për sa i përket fjalorit, sa më shumë të merret nga gegnishtja”. Tingëllon mirë, ndaj ta nisim menjiherë shqyrtimin për konkretizimin e këtij propozimi. Sa më shumë është “sa më shumë”? Dhe kur do ishte “sa më shumë” më shumë sesa është sot? Kuptohet, fjalët nuk janë ndonjiherë thjesht të gegnishtes a të toskërishtes. Ka fjalë që shqipja i përdor në verilindje e veriperëndim të saj, po jo ngjeti, (bash si fjala ‘ngjeti’, që nis e del si ‘njeti’ drejt veriperëndimit. p.sh.), ka fjalë që i përdor në zona verilindore e jugore (p.sh., nji pejan e nji kolonjare të dy të pyesin “qysh je?” kundrejt shkodranes e tiranasit që të pyesin “si je?”). Por, edhe nëse propozimin e Fiedler-it e kuptojmë si nji ftesë për dashamirësi ndaj fjalëve prej arealeve të shqipes, propozimi i dobishëm mbetet.
Mirëpo, vetë “sistemi leksikor” (pra, fjalësi) është më fort njifarë abstraksioni që gjuhëtarët e krijojnë për me e hetu gjuhën prej nji prizmi të dhënë, sesa është diçka që ekziston në njifarë eteri të mëvetësishëm brenda sistemit gjuhësor. Kjo sepse nji prej realiteteve në të cilat fjala rron është vetë struktura gramatikore që e shoqëron fjalën, prej jashtë e prej brenda saj. Dhe a i duhet botës shqiptare me u kufizu te hapja ndaj fjalëve prej arealesh gege, nëse është se hapja vetë (edhe ndaj leksikut) bëhet për arsye kryekëput sociolinguistike, pra të politikave për përafrime jashtëgjuhësore, ndërnjerëzore fillimisht, e që në gjuhë gjejnë vetëm përmasën gjuhësore të tyre. Integrimi veç i leksikut, por jo i strukturave, edhe mbase vjen disi, por me shumë kufizime e çalime.
Vetë fakti se standardi parapëlqen leksikun “tosk” përmbi atë “geg” (me kuptimin se edhe bazën leksikore e merr maje tanash prej arealesh jugore) nuk është thjesht rastësi, po veç dëshmim i realitetit se struktura tërheq fjalët që përbëjnë. Në fund, me aq sa fjalësi i ri mundet me hy nga areale që flasin nji o nji tjetër nënvariant të gegnishtes, varet nga shtysa pikë së pari sociale: Nëse, kur i vetëdijshëm se po komunikon para ambientesh të kryerrymës, përdoruesi i leksemës “me gjujtë” (me kuptimin “me hedhë”; “me e gjujtë prej dritares”) vijon me ia ofru këtë njisi kuptimore publikut, nji tjetër nis me e përvetësu njisinë, qoftë edhe nëse veç si pasive, d.m.th. që e njeh po nuk e përdor. Nëse përdoruesi përdor njisi si “me fugë” (“me e fugë prej dritares”), por të njëjtën e vetëcensuron kur komunikon me pretendimin me iu drejtu kryerrymës, i mbetet e papërhapur, sepse censurimin ia bën i pari vetë, qoftë edhe nga frika se po ia stigmatizojnë.
Kuptohet, me u kredhë në diskutime gjuhësie, dalin çështje që nuk mund të mbërthehen në përmasat e nji artikulli të vetëm, por e rëndësishmja themelore këtu nuk është aq fort struktura përfundimtare gramatikore e shqipes së njësuar bashkëkohore, por vetë politika gjuhësore që botës shqiptare i duhet me e formësu e ndjekë për të sotmen, e më fort, për të ardhmen e vet. Të vazhdojë politika e anshmërisë së djeshme me na i diktu shijet gjuhësore, apo mund të orientohet në politikë përafrimesh të mëtejme? Prej propozimeve të Fielder-it, përmbi vetë përmbajtjen, mbetet fryma e tyre: është plus që Fiedler, me propozimet e veta, i bashkohet idesë për tejtime në shqipen standarde, mesazh ky të cilin tekembramja na e përçon. Dhe sa kohë e rëndësishme mbetet ideja, shtigjet gjinden. Ai, si nji dashamir i huaj i shqipes, ndjek frymën për sheshimin e dallimeve, heqjen e stigmave gjuhësore, për përafrime të reja. Kjo është me u vlerësu. *Gjuhëtar
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
