Analisti politik Genc Burimi, në një intervistë për News 24 nga Skype, komentoi situatën politike në vend, duke vënë në dyshim rregullsinë e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri.
Ai theksoi se procesi nuk ishte i barabartë dhe denoncoi pengesat që iu vunë diasporës për të ushtruar të drejtën e votës. Burimi krahasoi situatën me praktika të ngjashme në vende të tjera europiane, duke shtuar se maxhoranca aktuale ka synim të fortë për të ruajtur pushtetin.
Genc Burimi: Denoncimet e Sali Berishës i kam parë si denoncime në vazhdën e shumë denoncimeve në çdo vend ballkanik dhe më gjerë, ku ka ndodhur i famshmi “treni bullgar”. Denoncime ke aktualisht në Rumani, ku humbësi i zgjedhjeve presidenciale ka shkuar deri në Gjykatë Kushtetuese. Denoncime ka pasur në Serbi, që zgjedhjet nuk janë pranuar, pikërisht për manipulime. Denoncime ka pasur në Bullgari, ku Borisov akuzohet se si Rama ka përdorur variante manipulimesh. Denoncime ka edhe në Hungari, kundër Orbanit. Në çdo vend në Europë ku nuk ka demokraci të mirfilltë, ka një përpjekje të regjimit në fuqi që të mbetet gjithmonë në fuqi. Sa i takon ndërkombëtarëve, varet se nga kush bëhet denoncimi. Aty ku ka kandidatë pro rusë, Europa të thotë se po ia fusni kot. Aty ku ka kandidatë që nuk janë pro rusë, dhe thonë se zgjedhjet janë të manipuluara ose farsë, aty Perëndimi edhe e vë një vesh. Te pretendimet për manipulime në zgjedhje, gjithmonë varet nëse je apo nuk je pro rus.
Berisha aktualisht indirekt po shfajëson Lulzim Bashën. Kjo, sepse ai thotë se nuk fitohet përballë një regjimi. Edhe Basha është i justifikuar për humbjet në zgjedhje. Edhe ai nuk mund t’i bënte ballë regjimit që manipulon. Basha ka të tjera mëkate, mëkati i tij më i madh është se ju bind asaj Amerike, ku sot kemi Amerikë tjetër, duke thënë se jemi pro amerikan dhe antirusë. Sot ke një Amerikë, që është antiPerëndim dhe pro ruse, kjo është gafë tjetër. Këtë herë, edhe OSBE ODIHR tha se në Shqipëri nuk u zhvilluan zgjedhje të barabarta dhe kjo është shprehje e fortë. Këtë e kemi citim nga vëzhguesit ndërkombëtare, edhe po mos të jetë Sali Berisha. Unë besoj te “treni bullgar”, sepse them me vete se është metodë që është zbatuar edhe në shumë vende të Ballkanit. Në Shqipëri janë zhvilluar zgjedhje të parregullta, nuk jemi të veçantë. Këtu bllokohet Perëndimi, se thotë se unë kam vënë në Shqipëri një drejtësi të pavarur, i takon drejtësisë të japë verdiktin. Njësoj si në Rumani, dhe kjo më habit mua, pse në Shqipëri zgjat kaq shumë përgjigja. Ne nuk kemi mbyllur numërimet dhe kjo është një agoni e gjatë gjithmonë.
Sa i përket votës së shqiptarëve jashtë vendit, mund të them se e vetmja gjë që mbahet mend nga diaspora është që votoi për herë të parë. Diaspora u pengua të votojë, pasi nga 340 mijë të regjistruar për të votuar në PER, vetëm 200 mijë janë pranuar nga KQZ që të votojnë. Janë njerëz që janë gati të votojnë në diasporë, por i nxorën nga votimet. Nuk është normale kjo. Nga ana tjetër, nuk ishte fenomen që të impaktojë rezultatin e zgjedhjeve. Nëse duam të jemi legalistë, rezultati i zgjedhjeve ende nuk është i qartë. Për sa kohë nuk kanë mbaruar kontestimet dhe për sa kohë që drejtësia nuk ka dhënë fjalën e fundit nëse ka certifikim apo jo, e nëse DASH nuk ka dhënë vlerësim të zgjedhjeve, për mua duhet të pritet sesi kanë përfunduar këto zgjedhje, sa i përket vlerësimit të drejtësisë. Për mua, Edi Rama është kryeministër në tranzicion. Normalisht ai duhet të japë dorëheqjen dhe të krijohet qeveri e re, është normale. Kjo qeveri ka mbaruar.Normalisht, kjo qeveri do japë dorëheqjen, do ikë, i ka mbaruar mandati. Jemi në pritje të një qeverie të re, ku kryeministër mund të jetë prapë Rama ose ndoshta jo Rama, këtë e vendos PS. Sot Rama është si Kurti.
Presim ceritifikimin e zgjedhjeve, pastaj mbledhjen e parlamentit të ri, betimin e deputetëve, dhe pastaj partia që ka fituar zgjedhjet propozon kryeministrin. Edi Rama do të flasë për ato gjëra që i ka lënë përgjysmë, do flasë për negociatat me BE, do flasë për zgjedhjet brenda partisë. Rama i 2025 që i thotë partisë qepeni mos kërkoni gjë, përgënjeshtron Ramën e 2009, që hynin në grevë urie në bulevardin e Tiranës, për të kërkuar hapjen e kutive, që Sali Berisha i dogji ato kuti votimi. Është Berisha që humbi, ai sot kërkon qeveri teknike, kërkon ribërje zgjedhjesh, janë kërkesat e rinisë serbe në Serbi. Nuk mund të funksionojë, sepse Ramën nuk ka kush ta detyrojë, do shikojmë atë parlament me flakadanë, atë parlament ku do kërkohen Komisione Hetimore që do mohohen etj. Do jetë e gjitha në të keqen e Ramës, se Europa nuk mund të tolerojë më një parlament me kaq shumë ndasi. Nëse parlamenti në vijim jep të njëjtën shfaqje, askush nuk ia hap negociatat me BE-në Shqipërisë. Është faji i Ramës që pas zgjedhjeve nuk po krijon dot një unitet. Sa i përket partive të reja, ato do kenë kreditë mediatike, se do flasin në parlament. Nëse marrim si shembull Adriatik Lapajn si i ri që hyn në parlament, ai nuk ka përgjigje se përse shqiptarët votuan sërish partitë e mëdha. Ose Lapaj pranon se zgjedhjet janë vjedhur, ose Lapaj do pranojë që nuk ishte aq i aftë sa të marrë shumë vota. Këtu bllokohet mekanizmi intelektual i Lapajt, me votat që ka marrë.
