Gazetari dhe analisti Genc Burimi ka analizuar situatën në vend, siç ishin dhe zhvillimet e fundit në Kuvend, ku me votat e PDIU kaloi marrëveshja me Italinë për emigrantët. Burimi thekson se janë komentuar shumë pasojat që do të ketë kjo marrëveshje.

“Me votat që PDIU i dhuroi këtë javë mazhorancës në Kuvend, përfundon kështu në planin legjislativ dhe juridik saga e marrëveshjes italo-shqiptare mbi refugjatët që mbërrijë nga Afrika. Pas nënshkrimit surprizë të kësaj marrëveshje në Romë nëntorin e kaluar midis Ramës dhe Melonit, pas arbitrazhit në favor të kësaj marrëveshje nga ana e Gjykatës kushtetuese të Shqipërisë, dhe së fundmi pas dritës jeshile të Kuvendit të Shqipërisë, do të mund të fillojnë punimet për ndërtimin e kampeve në Shqipëri ku do të mbahen të izoluar mijëra klandestinë që i destinoheshin Italisë.

Është komentuar shumë mbi një sërë pasojash negative që do të ketë kjo marrëveshje mbi shqiptarët dhe Shqipërinë ku akumulimi i prurjeve nga Afrika mund të çojë brenda një dekade në qindra mijëra refugjatë që do të vënë këmbën në tokën shqiptare e cila vetë po humbet ndër vite me qindra mijëra autoktone. Por pak ose aspak nuk është folur për një pasojë me ndikim të drejtpërdrejt në jetën e përditshme të shqiptarëve, rreziku i pezullimit të lëvizjes pa viza në BE që përbën një nga arritjet më të mëdha të këtyre tre dekadave tranzicion.

Alarmi që ngre ish-drejtuesi i FRONTEX, Agjencia europiane e mbrojtjes së kufijve të BE-së
Shqiptarët ndoshta nuk e njohin, por francezi Fabrice Leggeri, legjendë e Frontex , agjencia europiane e mbrojtjes së kufijve të BE-së të cilën ai e ka drejtuar 7 vite rresht deri me 2022, është një personazh shumë i njohur në korridoret e Komisionit Europian , të Parlamentit europian dhe të kancelerive europiane. Ai u dëbua nga posti (ose më mirë u detyrua të japë dorëheqjen) me akuzën e rëndë për akte që shkelin të drejtat e njeriut. Për hakmarrje, ky funksionar i lartë francez, shëmbëlltyrë e ekselencës shkolluar jo në një por në tre “Grande Ecole” (Science Po Paris, Normal Sup dhe ENA) vendosi këto ditë t’i bashkohet partisë së Le Pen-it dhe të përfaqësojë kështu ekstremin e djathtë francez në zgjedhjet e qershorit për në parlamentin europian. Si një personazh i dalë nga libri i “Konti i Montekristos” i Aleksandër Dumas, ish-shefi i Frontex do të kërkojë të hakmerret me kostumin e politikanit ndaj atyre që e poshtëruan si funksionar i lartë europian. Ata janë Ursula Von Der Layen bashkë me komisaren për çeshtjet e brendshme dhe emigracionin suedezja Ylva Johansson, eurodeputetë të gjelbërt dhe majtistë që «i bënë varrin» profesionalisht, pa harruar dhe lidershipin francez që e la në baltë sipas tij. Nëse zgjidhet si eurodeputet Fabrice Leggeri do të shndërrohet falë njohurive të jashtëzakonshme që ka në fushën e emigracionit ilegal, në një zëdhënës të të djathtave ekstreme europiane në parlamentin europian te cilat e akuzojnë Komisionin europian për një tolerancë kriminale ndaj cunamit emigracionist që po kërcënon BE-në.”, tha ai.

Shkrimin e plotë e gjeni te analiza.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: