Gjykata e Posaçme dëgjoi mes debatesh të forta dëshmitë e para në procesin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili cilësohet si një nga përgjegjësit e tragjedisë së Gërdecit me 26 të vrarë e qindra të plagosur. Feruzan Durda, që humbi djalin e mitur në Gërdec më 15 Mars 2008, pati përplasje me avokatët e Mediut, pasi nuk i tregoi gjykatës që djali i tij i madh kishte punuar në fabrikën e demontimit të armëve për 1 muaj e gjysmë, fakt të cilin e kishte pohuar në prokurori një muaj pas tragjedisë.
“Atëkohë s’kam qenë as në qiell e as në tokë. Se keni idenë çdo të thotë të humbasësh një djalë 6 vjeç”, iu kthye ai avokatëve, të cilët insistonin të dinin se ku punonte sot i biri, por gjykata se lejoi të përgjigjej. Bashkëshortja e Feruzanit, Zamira Durda, e pranoi se djali i madh, Geraldi, atëkohë 14 vjeç, ishte punësuar në fabrikë, por nuk kishte as kontratë dhe punonte në kushte të rrezikshme. “Kam humbur 3 pjesëtarë të familjes. E dija që aty ishte me rrezik por askush nuk na dëgjonte. Nuk kisha ku të trokisja. Se mendoja që shteti mund të na vriste. Shfrytëzuan varfërinë, ishin të babëzitur”, tha ajo.
Zamira Durda, që vuri në lëvizje SPAK për çështje u përplas me avokatin e Fatmir Mediut, kur ai e pyeti nëse e kishte personale me të pandehurin. “Nuk kam asgjë personale me Fatmir Mediun. E kam me shtetin, ne kishim besim tek shteti dhe tek ushtria nuk mendonim se shteti jonë do na vriste. Gërdeci është krim shtetëror dhe duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha ajo, teksa i bëri thirrje ish ministrit të mbrojtjes të përballej me të në sallën e gjyqit.
Para se të linte sallën e gjyqit Zamira Durda nxori dy fletore dhe i tha gjykatës që t’i jepte shpjegime se përse janë bosh. “Ne I vuajtëm pasojat. Në pak sekonda mu shkatërrua gjithë jeta. Djali bëri detyrat e fundit te klasës së parë me 13 mars. Me 17 mungoi në shkollë. Më thoni pse im bir nuk jeton më. Ma zbardhni vendimin në këto fletore”, bëri thirrje ajo.
Dy ish punonjëset, Drita Cani, që ka humbur bashkëshortin dhe djalin nga shpërthimi tragjik, si dhe Alketa Hazizaj, thanë se kushtet e punës në fabrikë ishin të tmerrshme. Të dyja shpjeguan se nuk kishin kontratë pune, se ne fabrikë ishin punësuar të mitur dhe se demontimi bëhej në fushë të hapur, ndërsa ata nuk ishin trajnuar të kryenin një proces të tillë të rrezikshëm. Sipas tyre predhat demontoheshin duke u goditur me sqepar.
“Rregulla s’ka pas fare”, tha Cani. Ndërsa Hazizaj e cila ka pësuar djegie në mbi 80 për qind të trupit tregoi momentin tragjik të shpërthimit.
“E gjithë fusha ishte e mbushur me barut. Se kuptova nga dolën flakët. Filluan të bërtiturat, s’po shihnim njëri-tjetrin. Kam shkelur edhe mbi viktima që të largohesha”, tha ajo. Ndërkohë, dy dëshmitaret mohuan të kishin patur kontakte apo të kishin parë ish ministrin Mediu fabrikën e demontimit.
Nga ana e tij, Fejzi Shehu, i cili ka shërbyer si roje zëvendësues tek fabrika e demontimit te armëve, tha se flaka shpërtheu nga një karrocë dhe u përhap me shpejtësi. Në këtë pikë pati debate të forta mes dëshmitarit dhe avokatëve, pasi mbrojtësit e Fatmir Mediut, kërkojnë me këmbëngulje që të kryhet riekspertim i ri për të përcaktuan shkakun e shpërthimit.
15 vite pas shpërthimit të punishtes së demontimit të armëve në Gërdec, ish ministri Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim me kuadrin ushtarak komandues. Kësaj përballe me drejtësinë ai iu shmang ne 2009 me procedurë.
BalkanWeb
