Studiuesi Auron Tare ka reaguar sërish pas deklaratave të ministrit të Kulturës Blendi Gonxhe për lajmin se në Akropolin e Finiqit po zhvillohet gërmime me mjete të rënda. Sipas ministrit Gonxhe aktiviteti ishte vepër e Ministrisë dhe se lajmet e shpërndara ishin dashakeqe.
Por Auron Tare, thotë se fotot që ministri ka publikuar tregojnë degradimin total të shkencës së restaurimit në Shqipëri, duke hedhur poshtë deklaratat e ministrit Gonxhe.
REAGIMI I PLOTË NGA AURON TARE
“Si ishte, Si Është”
apo
“HOC AEDIFICIVM
TEMPORE PRAEFECTI
GONXHAE
EXSTRVCTVM”
Ministri i Kulturës, Gonxhe, pas një serie kronikash mediatike ku tregohej se në Akropolin e Finiqit po gërmohej me mjete të rënda, nxori një komunikatë për shtyp ku shpjegonte se ky projekt ishte vepër e Ministrisë që ai drejtonte dhe se të gjitha lajmet e tjera vinin nga dashakeqës apo media të painformuara.
Për të mbështetur më tej argumentin e tij se ajo që po bëhej në Akropolin e Finiqit (me paratë e taksapaguesve) ishte e drejtë dhe profesionale, ai e shoqëroi shkrimin edhe me disa foto, për t’i treguar publikut se të gjitha zërat që flisnin për dëmtime në Akropol ishin të gabuara.
Mirëpo, pertej germimeve me eskavatore ne Akropolin e nje prej qyteteve me te rendesishme te Antikitetit, fotot që Ministri ka publikuar për të treguar se çfarë po bëhet në Finiq dëshmojnë jo vetëm injorancën e thellë të Ministrisë së Kulturës, por edhe degradimin total të shkencës së restaurimit në Shqipëri.
Për të qenë korrekt me lexuesit, fotot e publikuara nga Ministri i Kulturës i Republikës ua dërgova dy specialistëve të restaurimit, të cilët prej dekadash kanë restauruar Monumente Kulture si pjesë e Institutit të Monumenteve. Po ashtu, i dërgova edhe dy restauratorëve të huaj, një në Itali dhe një në Izrael.
Për të ruajtur dinjitetin e Ministrit të Republikës, nuk po botoj komentet e restauratorëve të huaj lidhur me restaurimin e Murit Antik të Finiqit, por po paraqes më poshtë disa mendime shumë të shkurtra nga restauratorë shqiptarë, të cilët pas mbi 40 vitesh pune sot rrinë në kafenetë e lagjes, per arsye se firmat që marrin projektet me tendera nuk i thërrasin as për konsultë shkencore.
Më poshtë:
“Ky mur është një sajim i turpshëm. Së pari, në restaurim nuk është normale që në bazë të vendosen gurë të vegjël dhe mbi ta gurë të mëdhenj. Nuk kishte pse të ‘restaurohej’; mjaftonte të konsolidohej. Duket qartë që gurët nuk janë origjinalë. Nuk janë vendosur sipas teknikës së antikitetit, e cila parashikonte rrafshimin e faqeve të blloqeve. Nuk i përket as periudhës romake, as antikitetit të vonë që përdorte llaç. A mund ta pyesni Ministrin se çfarë periudhe po ndërtojnë?”
Çfarë t’u thoja zotërinjve që sinqerisht kërkojnë përgjigje nga Ministri i Kulturës, kur vetë firma që kryen këto “restaurime” nuk ka as idenë më të vogël se çfarë po bën?
Fundja, firma në fjalë, e cila nuk ka kryer kurrë ndërhyrje të tilla, ka dalë thjesht për të bërë ca para dhe nuk mban asnjë përgjegjësi profesionale apo morale. Ministri i Kulturës, normalisht, nuk ka as idenë se çfarë flet apo çfarë fotosh nxjerr në publik. Problemi i vërtetë qëndron te heshtja e specialistëve të arkeologjisë dhe restaurimit, te Akademia e Shkencave apo te “arkeologët” e Universitetit Shtetëror, të cilët nuk flasin.
Nuk flasin, edhe pse ajo që po i ndodh trashëgimisë sonë nuk është vetëm një turp, por edhe një krim ndaj së shkuarës dhe së ardhmes.
Ndërsa pyetjes se cilën periudhë historike po “ndërton” Ministri ynë i Kulturës në Finiq, ndoshta përgjigjja e vetme do të ishte një pllakë
“HOC AEDIFICIVM
TEMPORE PRAEFECTI
GONXHAE
EXSTRVCTVM”
e vendosur mbi mur, si dëshmi e injorancës dhe dëshpërimit që ka kapluar trashëgiminë tonë kulturore.
