TIRANE – Këngëtarja dhe moderatorja Gerta Heta ka pasur një shtatzëni të vështirë. Pak javë më parë, ajo ka bërë një lindje të parakohshme, duke sjellë në jetë dy vajzat e saj binjake, por për fat të keq, vetëm njëra prej tyre ka mbijetuar. Sidoqoftë, këngëtarja ndihet mirënjohëse dhe nëpërmjet një letre vërtet prekëse ka falënderuar me përulësi stafin e mjekëve dhe infermierëve.

“Falënderimi i një nëne” e ka titulluar moderatorja letrën e saj, ku shkruan: Mesazhi “Ato erdhën në jetë të dyja, shumë kohe, po vetëm Matea arriti të mbijetojë. Matea ime luftarake, që falë dëshirës së të madhit Zot për të mos ma copëtuar shpirtin përjetë, e falë punës së jashtëzakonshme të bluzave të bardha të S.U.O.GJ. ‘Mbretëresha Geraldinë’, sot është në shtëpi pas 50 ditësh në reanimacion. Lindi 1000 gramë, sot vetëm 1530 gramë, shumë rrugë për të bërë, por shpresoj që luftën më të madhe, atë për jetën e fituam. Mirënjohje për stafin shumë human të reanimacionit të bebave. Keni gjithë bekimet e një nëne. Jua puth duart me përulësinë më të madhe. Gerta Heta Djarmati”

Pas publikimit të kësaj letre në llogarinë zyrtare në “Facebook”, një nga mjekët që ka ndjekur gjendjen e Mateas, shpjegoi më poshtë me terma më profesionalë cila ishte situata e vogëlushes, që tani është në gjendje të mirë.

Reagimi
“Ardhja në jetë e Mateas së vogël më 08.10.2015 është një mrekulli për prindërit e saj, pasi arriti të mbijetojë nga një prematurë e thellë 28-29 javëshe gemelare. Matea lindi me detres respirator, insuficiencë respiratore/SMH dhe peshonte vetëm 1000 gramë. Vogëlushes iu desh të kalonte të gjitha fazat e oksigjenimit, nga ventilimi i drejtuar (TET), në ventilim nazal, në Oksigjenimin me Kaskë (HOOD) dhe më në fund, më 28.10.2015 kaloi në fazën e frymëmarrjes normale me O2 në ambient të lirë. Nëna filloi ta ushqejë me gji. Falë punës së mjekëve dhe infermierëve të Repartit të Terapisë Intensive të S.U.O.GJ. ‘Mbretëresha Geraldinë’, tashmë Matea e vogël peshon 1530 gramë dhe ka dalë nga spitali, pasi gëzon shëndet të plotë. Këtë na e tregon edhe falënderimi i nënës së Mateas së vogël. Edhe ne ju falënderojmë, znj. Gerta Luna Djarmati, për fjalët e ngrohta për stafin tonë!”
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: