Gerti Shella, i ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, ka komentuar situatën ligjore të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke u shprehur se karriera e saj politike është e kompromentuar dhe se një promovim i mëtejshëm politik do të përbënte, sipas tij, një përjashtim të thellë nga rregulli.

Shella argumentoi se ecuria e çështjes në drejtësi do të ishte vendimtare për të qartësuar situatën, duke theksuar se një gjykim i shpejtë do të ndihmonte në uljen e tensioneve dhe të pikëpyetjeve publike.

Ai vlerësoi se, nëse Prokuroria ka përfunduar punën e saj hetimore, edhe procesi gjyqësor mund të zhvillohet më shpejt. Sipas Shellës, një proces i tillë do të ndihmonte në sqarimin e përgjegjësive dhe do të qetësonte opinionin publik.

Gjatë intervistës, Shella u ndal edhe te interesat politike të Partisë Socialiste në prag të përballjeve të ardhshme zgjedhore, duke argumentuar se çështja e Ballukut mund të ndikojë në mënyrën se si partia do të përballet me elektoratin.

Një tjetër pikë e ngritur nga avokati ishte raporti mes masave të sigurisë të vendosura ndaj Ballukut dhe atyre të aplikuara në raste të tjera, duke përmendur edhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

“Unë mendoj që karriera politike e zonjës Balluku është e kompromentuar. Një promovim i mëtejshëm i saj do të ishte një anomali e thellë, një përjashtim nga rregulli.

Do të thoja që, njësoj siç pati ndikim për ta mbyllur me shpejtësi prokuroria fashikullin e saj hetimor dhe për të shtuar akuza në përballjen e saj me drejtësinë, po në të njëjtën mënyrë edhe gjykimi i saj mund të përparojë shpejt. Mendoj që, nëse Prokuroria ka punuar, gjykimi mund të jetë më i shpejtë dhe do të qetësonte shumë shpirtra.

Interesi politik, në mënyrë të veçantë i shumicës së PS-së, është që në përballjet e saj të afërta zgjedhore, nëse do të ketë të tilla, çështja e Ballukut të mos jetë një barrë që e rëndon.

Do të ishte i pamjaftueshëm standardi i arritur apo precedenti i ri i vendosur nga Balluku në raport me moscaktimin e masës së rëndë të sigurimit personal, nëse nuk do të shoqërohej nga vetë SPAK-u me një tërheqje të masave të rënda të sigurimit personal që ka vendosur për figura të tjera. Kam parasysh këtu Veliajn.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb