VIDEO/ Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani u kthyen nga Barcelona, atentati pak minuta pasi zbritën në Rinas. Autorët kishin informacion për lëvizjet e shënjestrës
11 Nëntor, 2025 15:21
Madhësia e tekstit:
Gilmando Danit iu bë atentat vdekjeprurës pak çaste pasi ishte kthyer nga jashtë shtetit, i shoqëruar nga Muçi Shaljani (Sheqeri). Në aeroportin e Rinasit ata kishin mbërritur në orën 13:55.
Gazetarja e News24, Xhensila Kodra raporton se autorët kanë patur informacion për lëvizjet e objektivit dhe e kanë pritur shënjestrën tek rrethrrotullimi. Ajo tha se Dani dhe shoku i tij ishin kthyer sot nga Barcelona.
I plagosuri drejtonte automjetin tip “Mercedes Benz S”, ndërsa Dani ishte pasagjer kur drejt tyre u hap zjarr pak metra larg aeroportit.
Në vendin e ngjarjes humbi jetën Gilmando Dani rreth 47 vjeç, ndërsa Muçi Shaljani (Sheqeri) 40 vjeç, ka mbetur i plagosur rëndë.
Njoftimi i policisë
Rinas/Informacion paraprak
Rreth orës 14:20, te rrethrrotullimi në afërsi të aeroportit, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri drejt automjetit me të cilin po lëviznin shtetasit M. Sh., rreth 40 vjeç dhe G. D., rreth 47 vjeç.
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi G. D. dhe është plagosur shtetasi M. Sh., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetsore.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë punën për kapjen e autorit/ëve.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.