Vendi i nisjes së Giro d’Italia: “Prestige Resort”, në Golem të Kavajës…
Në resortin prestigjioz, ku ndër vite kanë qëndruar ministra e deputetë, kryeministri dhe diplomatë të huaj, artistë dhe njerëz të medias, madje edhe një nga vajzat e Presidentit Trump me të shoqin, janë akomoduar aktualisht 5 ekipe: Française des Jeux, Arkea, Movistar, Cofidis dhe Q36.5.
Resorti ofron parkim gjigant për të gjithë autobusët e ekipeve dhe automjetet ndihmëse me biçikletat dhe pajisjet.
Sivjet “Giro d’Italia” mbush 108 vjet. Bashkë me “Tour de France” dhe “La Vuelta” në Spanjë, është një nga tre xhirot më të rëndësishme çiklistike në botë. Për nisjen e edicionit të këtij viti, qeveria shqiptare ka paguar 7 milionë euro për ta sjellë në Shqipëri, duke mundur Triesten e Italisë, që ofroi 6 milionë euro. Organizimi i tri etapave të para në Durrës, Elbasan, Tiranë dhe Vlorë, do të vazhdojë deri të djelën e 11 majit, kur në vend do të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.
Në orën 7 të mëngjesit, në Prestige Resort ekipet janë ende në gjumë.
Kurse në restorant, stafi vrapon të shtrojë mëngjesin.
Në anën e majtë të hapësirës, katër tavolina janë organizuar për çiklistët, ku ushqimi i tyre është i veçantë. Nutricionisti i ekipit francez na shpjegon se kështu veprojnë të gjitha ekipet.
Sajmir Ndrecaj, menaxher në “Prestige Resort” shprehet: “Për pjesën e sportistëve, kanë stafet e tyre të kuzhinës që gatuan për ta, gjithmonë në bashkëpunim me stafin e Prestige Resort. Ndërsa për pjesën e stafit, për pjesën teknike, shërbimin, jemi kujdesur ne 100%. Çiklistët dhe stafi janë shumë të kënaqur si me ambientin, ushqimin dhe mikpritjen që u kemi bërë ne”.
Manolis Pantelellis, një drejtues ekzekutiv për turizmin pranë Grupit Hysenbelliu, që zotëron ndër të tjera edhe resortin, qesh me historinë e dietave dhe produktet specifike, që ekipet i kanë sjellë me vete nga jashtë. Në celularin e tij na tregon videon e një nate më parë kur çiklistët, pasi ikën menaxherët, iu sulën ushqimit shqiptar të resortit.
Por për të evituar situata të tilla, ekipi spanjoll Movistar e ka çuar fiksimin në një nivel tjetër, pasi ka ardhur me kamion-kuzhinë me vete, që shërben edhe si restorant vetëm për çiklistët.
Personi i ngarkuar për komunikimin me mediat na shpjegon se ekipi Movistar është i fokusuar te gara dhe nuk ka pasur kohë të mendojë për faktin se ndodhen në Shqipëri. Na premton një intervistë të shkurtër me italianin Davide Formolo, fitues dikur i një etape të “Giro d’Italia”.
“Për të filluar këtë eksperiencë të shkëlqyer në Shqipëri, sot është etapa e parë, ndoshta mund të bjerë pak shi nga fundi, ndaj mund të jetë pak e vështirë për ne“, shprehet Formolo.
Endri Xhafo: Cilat janë objektivat tuaja në këtë garë të “Giro d’Italia”?
Davide Formolo: Do të përpiqemi të nxjerrim Einer Rubion në pjesën e parë të “Giro d’Italia”. Po ashtu, që të kemi edhe një etapë fituese gjatë 20 ditëve të ardhshme…
Ekipi francez Française des Jeux ka një atashe shtypi që quhet Coline. Pak më vonë na premton edhe ajo një intervistë me dikë nga ekipi.
Ndërkohë teknikët e ekipeve kanë filluar të përgatisin biçikletat. Ka 2 lloje: biçikletat për rrugë, që kushtojnë rreth 12 mijë euro copa, dhe biçikletat e kronometrit në garat individuale, që kushtojnë 27 mijë euro copa. Dhe çdo ekip, ka disa dhjetëra të tilla.
Thierry BRICAUD, është drejtori teknik i ekipit “Française des Jeux”. Si një diplomat i vërtetë, ai e fillon duke mburrur Shqipërinë.
Thierry Bricaud: Një surprizë e bukur. Është gjithçka përsërmbari këtu në Shqipëri. Sa i takon garës, kemi David Gaudu që është lideri ynë në këtë xhiro. Pastaj ambicia është të luftojmë për çdo etapë. Kemi një ekip mjaft homogjen për të luftuar për të gjitha etapat. Ndoshta jo që në të parën në Shqipëri, por e treta na pëlqen shumë, ndaj nuk do të na mungojë motivimi.
Endri Xhafo: Si francez që jeni, ju preferoni Le Tour de France apo Giro d’Italia?
Thierry Bricaud: Janë të dyja gara komplet të ndryshme. Le Tour de France mbetet Le Tour de France. Është gara më e madhe në botë. Ka shumë sfida, shumë mbështetje popullore. Por gjithashtu edhe shumë presion. “Giro d’Italia” është më shumë për fansat e biçikletës, ka më shumë një shpirt çiklistik. Pra, janë dy gara të ndryshme.
E megjithatë Giro d’Italia ndiqet nga rreth 800 milionë shikues në më shumë se 200 televizione në mbarë botën. Dhe ajo që quhet në italisht La Grande Partenza, fillimi i madh, starton nga këtu, në oborrin e Prestige Resort në Golem të Kavajës.
Rrugës së kthimit për në Tiranë nga Rrogozhina, duken qartë shenjat e një organizmi shtetëror, me policë e kadetë policie çdo 100m, me pika kontrolli dhe banderola.
Harta tregon një itinerar gjysmë malor, që futet nga Durrësi – Kavaja – Rrogozhina – Papëri – Elbasani – Graçeni – Surreli dhe qendra e Tiranës.
(BalkanWeb)