Nënkryetari i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj ka ngritur akuza dhe pikëpyetje të forta ndaj qeverisë gjatë Konferencës së Kryetarëve, duke iu referuar deklaratave të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe përgjimeve të bëra publike prej tij.

Gjekmarkaj kujtoi pozicionin e Ahmetajt si ish-numri dy i qeverisë dhe përplasjen e mëvonshme me kryeministrin Edi Rama. “Arben Ahmetajn e mbani mend? E mbani, e mbani! E keni pasur numrin dy të qeverisë. Shumë prej jush kishit dëshirë ta takonit, ta kishit mik. Pastaj, kur u bë hasëm me Ramën, ai e çoi në fund të rreshtit”, tha Gjekmarkaj.

Gjekmarkaj përmendi deklaratat e mëparshme të Ahmetajt për inceneratorët dhe tunelin e Llogarasë, duke i cilësuar këto çështje si problematike për qeverinë. “Pati folur për inceneratorët, për atë gropën më të zezë, megjithëse gropa ju keni shumë, dhe tregoi se si funksiononte sistemi juaj qeverisës. Pati folur për tunelin e Llogarasë, dhe atë tani e keni si gjyle nëpër këmbë”, deklaroi ai.

Në vijim, Gjekmarkaj iu referua përgjimeve të Ron Yeffet, duke argumentuar se ato, sipas tij, ngrenë çështje që lidhen me sigurinë kombëtare dhe përdorimin e parave publike. “Tani dolën edhe këto përgjime të Ronit. Ai ishte numri dy dhe di si funksionon e gjithë skema. Këto përgjime dëshmojnë se një vend i NATO-s si yni ka humbur sigurinë kombëtare dhe paratë publike. Nëse më parë ua jepnit kriminelëve të brendshëm, tani ua jepni atyre që janë jashtë”, u shpreh Gjekmarkaj.

Në përfundim, ai ngriti pyetjen se ku po shkon vendi përballë këtyre zhvillimeve: “Po bëhet garë e madhe, se bota është e pafund. Por pyetja është, ku dalim ne kështu?”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb