Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Agron Gjekmarkaj, zhvilloi sot një takim zyrtar në Athinë me homologun e tij, Nënkryetarin e Parë të Parlamentit Grek, Ioannis Plakiotakis.

Gjatë vizitës, Gjekmarkaj theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-greke mbi vlerat europiane dhe aleancën në NATO, ndërsa informoi bashkëbiseduesin për zhvillimet e procesit zgjedhor të 11 majit dhe gjetjet e raportit të OSBE/ODIHR.

Ai vuri në dukje problematikat e evidentuara në raport, rolin e emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe potencialin e minoritetit grek në Shqipëri si ura bashkëpunimi midis dy vendeve.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Postimi i Gjekmarkajt
Sot pata nderin dhe kënaqësinë të pritesha në Athinë nga z. Ioannis Plakiotakis, Nënkryetari i Parë i Parlamentit Grek. Në qytetin që lindi demokracia dhe emancipimi politik i botës, shpreha bindjen time se popujt shqiptar dhe grek, të vendosur pranë njëri-tjetrit nga historia, kanë potencial të madh për të forcuar miqësinë dhe bashkëpunimin mbi vlerat europiane dhe standardet e Bashkimit Europian dhe NATO-s.

Në cilësinë e Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësuesit të opozitës së qendrës së djathtë, informova z. Plakiotakis mbi zhvillimet e procesit zgjedhor të 11 majit dhe gjetjet e raportit të OSBE/ODIHR. Raporti evidenton qartë unifikimin e partisë në pushtet me shtetin, përdorimin e burimeve publike dhe mbi 4500 aktivitete elektorale të paraqitura si aktivitete të administratës publike, duke cenuar barazinë e garës.

Gjithashtu, gjatë vitit elektoral u arrestua i gjithë lidershipi i opozitës, duke kulmuar me Sali Berishën ngjarje kjo që ja lehtesoi kundershtarit fitoren e pamerituar! Në këtë kontekst, shpreha qëndrimin se Shqipëria duhet të rikthehet te zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të pakontestuara, jo vetëm si kusht për integrimin europian, por edhe si pjesë e ADN-së demokratike të vendit dhe si themel i harmonisë shoqërore. Po ashtu, vura në dukje rolin e emigrantëve shqiptarë në Greqi si kontribues të rëndësishëm dhe si një lidhje tashmë e fuqishme natyrale e miqësie mes dy popujve. Shpreha bindjen se minoriteti grek në Shqipëri është një pasuri e çmuar dhe një mundësi e madhe për forcimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit midis dy vendeve.

Shpreha gjithashtu dëshirën për të intensifikuar marrëdhëniet institucionale, jo vetëm përmes Grupit të Miqësisë, por edhe përmes komisioneve parlamentare. I përcolla z. Plakiotakis përshëndetjet e Kuvendit të Shqipërisë për Parlamentin e Greqisë, si edhe përshëndetjet e Kryetarit të PDSH-së, Sali Berisha, për Nea Dimokratia-n, aleate tradicionale e Partisë Demokratike, Kryeministrin Mitsotakis dhe Kryetarin e Parlamentit, z. Nikitas Kaklamanis.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb