NGA ARMIR MEHAJ*
PUKË- Në malin e Munellës në Pukë, zona e vetme në Shqipëri ku jeton Rrëqebulli është gjetur një këlysh rrëqebulli i vrarë. Lajmi është bërë i ditur nga Shoqata për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit natyror në Shqipëri, e cila prej vitesh investon në Malin e Munellës për ruajtjen e kafshës së rrallë.
Vrasja ka tronditur ambientalistët, nisur nga fakti se në malin e Munellës dyshohet të jenë 4-6 specie të rrëqebullit të Ballkanit nga i cili në të gjithë Ballkanin mendohet të jenë edhe vetëm 40 të tillë, çfarë ka vënë në kërcënim serioz kafshën e rrallë në rrezik zhdukje.
Lajmi për vrasjen e rrëqebullit të Ballkanit në Munellë ka ngjallur dhe reagimet e Shoqatës së Gjuetarëve në Pukë, e cila krahas kësaj ngjarje ngreh shqetësimin për mosfunksionimin e Moratoriumit për Gjuetinë.
Riza Hoxha, Sekretar i Shoqatës së Gjuetarëve në Pukë, thotë se vrasja e kësaj kafshe është një lajm tronditës që vjen si një apel i fortë që strukturat e Shtetit në Pukë t’i kthehen zbatimit të ligjit për parandalimin e gjuetisë së paligjshme. Sipas z. Hoxha në Pukë ushtrimi i gjuetisë natën, por edhe gjatë pjesës tjetër është një tregues i qartë se në Pukë moratorium i Gjuetisë nuk funksionon ashtu siç nuk funksionon as Inspektorati Mjedisor i cili kurrsesi nuk ruan dot pasuritë pyjore të këtij rrethi me inspektor nga Shkodra.
Sipas specialisteve të mbrojtjes dhe ruajtjes së mjedisit natyror në Shqipëri ky rast është një apel për marrjen e masave të menjëhershme nga Inspektorati i pyjeve për monitorimin e Malit të Munellës, ndërkohë që urgjente mbetet ndalimi i prerjeve pa kriter të pyjeve në këtë masiv pyjor i cili duhet të shpall zonë e mbrojtur si dhe të rritet sensibilizimi i banorëve të zonës për ruajtjen e kafshës në Zhdukje.
Munella dhe Mavrova janë dy zonat e vetme në Ballkan Ku shpresohet riprodhimi i Rrëqebullit, kafshës në rrezik zhdukje.
(m.k/BalkanWeb)
