BRUKSEL – Dy kamikazët që shpërthyen një ditë më parë në aeroportin e Brukselit janë dy vëllezërit Khalid dhe Ibrahim El Bakraoui. Policia belge identifikoi dy vëllezërit El Bakraoui, pas këqyrjes së kamerave të sigurisë së aeroportit, të cilat kishin fiksuar tre terroristët në aeroport.
Policia belge ka gjetur në një kosh mbeturinash kompjuterin e kamikazit Ibrahim El Bakraoui, brenda të cilit është gjetur një shkrim, ku thuhej: “Duhet të nxitoj, nuk di çfarë të bëj, nuk jam më i sigurtë. Nuk dua të përfundoj në një qeli pranë Salah Abdeslam”.
Lajmi për gjetjen e kompjuterit të kamikazit u bë i ditur nga prokurori federal belg, Frederic Van Leuw
Dy vëllezërit El Bakraoui mbanin nga një dorezë të zezë në njërën dorë, për të fshehur detonatorin e lëndës eksplozive që kishin në trup. Ndërkohë, terroristi i tretë që duket në foton e shpërndarë nga policia dyshohet se është prodhuesi i bombave me gozhda, emri i të cilit ishte përfolur edhe gjatë sulmeve të 13 nëntorit në Paris. ADN-ja e tij u gjet në disa rripa me eksploziv të pashpërthyera, që u gjetën në teatrin Bataclan dhe në stadiumin e Parisit, pas sulmeve të përgjakshme.
Terroristi i tretë, i cili mendohet se ka prodhuar bombat, i identifikuar si Najim Laachraoui, bashkëpunëtor i Abdeslam Salah po kërkohet nga policia. Mediat folën për një të arrestuar në Anderlecht, duke ngritur dyshime se bëhej fjalë për terroristin Najim Laachraoui, por më pas lajmi u përgënjeshtrua.
(er.nu/BalkanWeb)
