Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë arritur të gjejnë në vendin e ngjarjes kutinë e zezë dhe regjistrimet audio të kabinës së pilotit të avionit “ATR 72” të kompanisë ajrore Yeti Airlines 691 i cili u rrëzua në Nepal të dielën me 72 persona në bord.
Më shumë se 300 njerëz po kërkojnë në vendin e rrëzimit, pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Pokhara, thanë zyrtarët.
Një trup tjetër u gjet, duke e çuar numrin e të vdekurve në 69. Tre persona ende figurojnë si të zhdukur, megjithëse zyrtarët thanë se nuk prisnin të gjenin të mbijetuarit.
Misioni i kërkimit dhe rikuperimit është bërë më i vështirë sepse pjesa më e madhe e rrënojave nga avioni i rrëzuar ishin në një grykë të ngushtë 300 metra të thellë.
Ekuipazheve u është dashur të përdorin oksigjen ndërsa kërkojnë, tha një zyrtar.
Nga 68 pasagjerët në bordin e avionit me dy motorë, 15 ishin nepalezë. Zyrtarët thanë se pasagjerët e mbetur ishin nga India, Rusia, Koreja e Jugut, Irlanda, Australia, Argjentina dhe Franca. Në avion ishin edhe katër anëtarë të ekuipazhit.
Trupat e të 15 shtetasve të huaj pritej të mbërrinin në aeroportin e Katmandu, thanë zyrtarët.
Avioni u nis nga Katmandu në orën 10:32 të mëngjesit me orën lokale. Ekuipazhi bëri kontaktin e fundit me Kullën Pokhara në orën 10:50 të mëngjesit, ndërsa ata fluturuan mbi grykën e lumit Seti, e cila është në lindje të qytetit, thanë zyrtarët.
Zyrtarët thanë të dielën se 68 persona u konfirmuan të vdekur, nga një vlerësim i mëparshëm prej të paktën 30. Tre fëmijë dhe tre foshnja ishin në avion.
Kryeministri Pushpa Kamal Dahal shpalli të hënën ditë zie kombëtare.
