Të paktën 18 civilë u vranë dhe dhjetëra u plagosën gjatë një sulmi të forcave paraushtarake të RSF në dy fshatra në Kordofanin e Veriut, në perëndim të Sudanit, njoftoi një OJQ. Sipas Avokatëve të Emergjencave, sulmet ndodhën në zonën e Umm Quraydim, ndërsa mungesa e infrastrukturës detyroi transferimin e të plagosurve në qytetin El Obeid.
Pas humbjes së kontrollit në Khartum, RSF po përpiqet të forcojë pozitat në Darfur, rajon që tashmë dominohet prej tyre. OJQ-ja raportoi gjithashtu plaçkitje, rrëmbime të të rinjve dhe përdorim të dhunës seksuale si armë.
Konflikti, që nisi në prill 2023, ka shkaktuar krizën më të rëndë humanitare globale sipas OKB-së, me mbi 13 milionë të zhvendosur dhe një sistem shëndetësor të kolapsuar. Vendi po përballet edhe me një epidemi kolere, me afro 100,000 raste të regjistruara që nga korriku 2024.
