Vatikani ka njoftuar se Papa Françesku po përgjigjet pozitivisht ndaj trajtimit për pneumoninë e dyfishtë dhe ka shfaqur një përmirësim të lehtë gjatë ditëve të fundit.
Ai ka kaluar një natë të qetë në spitalin Gemelli në Romë, ku qëndron prej më shumë se dy javësh. Për të katërtën javë radhazi, Papa nuk ka marrë pjesë në meshë, por Vatikani ka shpërndarë tekstin e fjalëve që ai do të kishte lexuar në rast se do të ishte i pranishëm.
Papa, që ka probleme kronike me mushkëritë dhe ka pasur një operacion për t’i hequr një pjesë të mushkërive kur ishte i ri, vazhdon të qëndrojë nën kujdesin e mjekëve.
Sipas mjekëve, gjendja e tij ka mbetur e qëndrueshme, me nivele të mira oksigjeni dhe pa ethe për disa ditë. Kjo është periudha më e gjatë që Papa ka qëndruar larg publikut gjatë papatit të tij 12-vjeçar.
Mjekët janë të mendimit se rikuperimi mund të jetë një proces i ngadaltë, për shkak të moshës dhe historisë së tij shëndetësore.
(BalkanWeb)
