Këtë javë, Gjeneral Major Stephen Osborn, gjeneral adjutant i Gardës Kombëtare të Ioua-s, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u takua me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe me kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë e bëri të ditur vizitën përmes një postimi në Facebook, duke vënë në dukje rëndësinë e saj për forcimin e marrëdhënieve mes Gardës së Ioua-s dhe FSK-së. Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Gjeneral Osborn diskutoi mbi përgatitjet për rotacionin e ardhshëm në Qendrën e Trajnimit të Përbashkët të Gatishmërisë si dhe për angazhimin e FSK-së në stërvitjen shumëkombëshe “Defender 2025”, një nga më të mëdhatë në rajon.
Sipas njoftimit zyrtar, kjo vizitë shërbeu për të thelluar bashkëpunimin 14-vjeçar mes dy forcave, të cilat vazhdojnë të punojnë së bashku në mbështetje të transformimit të FSK-së në një forcë moderne të mbrojtjes territoriale dhe në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për Kosovën.
