Në shtëpi dhe në shkollë, Inteligjenca Artificiale po shndërron fëmijërinë. Ajo sjell shumë përfitime, por edhe rreziqe të fshehura, shkruan The Economist
Mësuesit mbetën të habitur. Disa nga nxënësit që përdornin Khan Academy, një platformë online të të mësuarit, dukeshin sikur po kopjonin në detyrat e matematikës me ndihmën e një bashkëpunëtori të panjohur.
Një hetim arriti më në fund të zbulonte fajtorin: Pitagorën, një matematikan i lashtë grek me dobësi për trekëndëshat kënddrejtë. Si mjet studimi, Khan Academy u lejon nxënësve të bisedojnë me simulime me Inteligjencë Artificiale të mendjeve të mëdha të së kaluarës.
Fëmijët kishin zbuluar se, me pak nxitje, Pitagora digjital ishte shumë i gatshëm t’ua bënte detyrat e shtëpisë.
Fëmijët janë pionierët, si dhe subjektet e para mbi të cilat po testohet Inteligjenca Artificiale (IA). Adoleshentët amerikanë kanë më shumë gjasa se prindërit e tyre ta përdorin IA në shtëpi dhe më shumë gjasa ta përdorin në shkollë sesa prindërit e tyre në punë, sipas një sondazhi nga Centre for Democracy and Technology (CDT), një organizatë jofitimprurëse.
Në shkollë, IA premton të ndryshojë mënyrën se si fëmijët mësojnë, si vlerësohen dhe, në fund të fundit, si mendojnë.
Në shtëpi po ndryshon mënyrën si luajnë, si mbikëqyren dhe me kë, ose me çfarë, ndajnë sekretet dhe krijojnë miqësi. Gjenerata IA po rritet me mundësi që brezat e mëparshëm as që mund t’i kishin imagjinuar. Ajo po përballet edhe me rreziqe krejt të reja.
Muzat e gjimnazit
Le të nisemi nga klasa, ku gjithsecili kalon një pjesë të madhe të fëmijërisë. Dy vite më parë, më shumë shkolla në Amerikë e ndalonin IA sesa e lejonin. Sot, përdorimi i saj është bërë normë.
Rreth 61% e nxënësve të shkollave të mesme dhe 69% e mësuesve marrin ndihmë nga IA për punët e tyre për në shkollë, sipas një sondazhi nga RAND Corporation, një organizatë kërkimore (shih grafikun).

Shumë qeveri e mbështesin këtë prirje. Presidenti Donald Trump nënshkroi në prill një urdhër ekzekutiv që u bën thirrje shkollave amerikane të “integrojnë bazat e IA në të gjitha lëndët”.
Singapori prezantoi mësime mbi bazat e IA në shkollat fillore. Kina planifikon t’u mësojë nxënësve IA në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme deri në vitin 2030.
Në Hangzhou, qyteti ku ka selinë DeepSeek, një nga kampionët e IA të Kinës, fëmijët marrin të paktën dhjetë orë mësim në vit për IA, nga trajnimi i modeleve deri te parimet e rrjeteve nervore.
Nxënësit mund ta hasin IA për herë të parë në mënyrë të tërthortë, teksa mësuesit e përdorin për të gjeneruar fletë provimi, detyra të personalizuara e gjëra të ngjashme.
Një provë vitin e kaluar në 68 shkolla të mesme në Angli nga Education Endowment Foundation, një fondacion bamirës, zbuloi se mësuesit e shkencave që kishin në dispozicion ChatGPT mund ta ulnin me gati një të tretën kohën e planifikimit javor të mësimit. IA mund t’i ndihmojë edhe ta bëjnë mësimdhënien më tërheqëse.
Muajin e kaluar, Microsoft hodhi në treg një mjet që e kthen planin e mësimit në lojë brenda “Minecraft”, ku fëmijët, për shembull, mund të ndërtojnë elementet e tabelës periodike.
Fëmijët po mësohen gjithashtu drejtpërdrejt nga IA. Në Flandër, Belgjikë, rreth 4,000 nxënës po përdorin mjete leximi me IA të zhvilluara nga Microsoft. Një prej tyre, i quajtur Reading Progress, regjistron fëmijët ndërsa lexojnë me zë dhe i vë në dijeni për gabimet.
Një tjetër, Immersive Reader, u lejon nxënësve të lexojnë një tekst në gjuhën e tyre amtare dhe më pas në holandisht, duke klikuar mbi fjalët për të parë ilustrime të kuptimit të tyre. Ai mund të përkthejë gjithashtu në kohë reale udhëzimet e mësuesit.
Kjo teknologji premton një arsim të personalizuar që dikur ishte i aksesueshëm vetëm për të pasurit. Google parashikon se “IA mund të lejojë çdo nxënës që të ndjekë vërtet një rrugëtim individual të të nxënit”.
Ben Gomes, drejtuesi teknologjik i Google për të mësuarit, shpjegon se si kjo mund të zhbllokojë aksesin te dija. Duke u rritur në një Indi të kohës para internetit, ai huazonte librin e vetëm për elektronikën që kishte biblioteka e British Council.
“E çoja librin në shtëpi dhe e rilexoja e rilexoja, dhe nuk kishte asnjë shans që ta kuptoja, sepse ishte në nivel shumë më të avancuar se imi”, thotë ai. Tani, mjete si Learn Your Way e Google mund ta përshtatin tekstin me nivelin e leximit të përdoruesit.
Mund t’i shtojnë edhe elemente të personalizuara: në një orë ekonomie mbi tregjet e punës, fëmijët që pëlqejnë futbollin marrin si shembull Lionel Messin, ndërsa ata që parapëlqejnë filmin marrin si shembull Zendayan.
Prindërit po e plotësojnë këtë lloj mësimdhënieje me tutorë me IA në shtëpi. Kjo është veçanërisht e përhapur në Kinë, ku provimet tepër konkurruese e kanë kthyer meditimin në biznes të madh.
Një goditje qeveritare ndaj mësimit jashtë orarit në vitin 2021, për të ulur presionin mbi familjet e stresuara, solli në mënyrë të pavullnetshme një shtysë të fortë për kompanitë, që prodhojnë pajisje arsimore të pajisura me IA.
Ndërsa tutorëve njerëzorë u ndalohej të jepnin mësim për programin kryesor, edhe online, tutorët me IA nuk ishin të përfshirë në këtë ndalim. Yang Renbing, kreu i JZX, një startup në Hangzhou që shet tabletë të pajisur me një mësues IA, thotë se shitjet mujore janë dhjetëfishuar gjatë vitit të fundit.
Është ende herët, por prodhuesit e mjeteve me IA tregojnë shenja suksesi, sidomos në lexim. Pjesëmarrësit në një program pilot në Indi për aplikacionin Read Along të Google kishin 60% më shumë gjasa të përmirësonin aftësitë e tyre krahasuar me ata në grupin e kontrollit.
Një studim i Bankës Botërore gjeti se nxënësit në Nigeri, që përdorën Copilot të Microsoft gjatë vitit të parë të gjimnazit, përmirësuan anglishten e tyre në nivel të barabartë me gati dy vite shkollimi të zakonshëm.
Fëmijët e ciklit fillor në Tajvan që përdorën CoolE Bot, një aplikacion për të mësuar gjuhë të huaja, shfaqën përmirësim domethënës në anglisht; nxënësit e turpshëm raportuan se ushtrimi me chatbotin ishte më pak frikësues sesa të flisnin me mësuesin e vërtetë.
Entuziazmi i tepruar
Jo të gjithë janë entuziastë për “edu-bot”-ët. Vetëm 22% e drejtuesve të distrikteve shkollore amerikane besojnë se IA dëmton aftësitë e të menduarit kritik te nxënësit, por 61% e prindërve e mendojnë kështu, sipas RAND.
Ndoshta më shqetësuese është se 55% e vetë nxënësve të shkollave të mesme e besojnë këtë. Disa shqetësime mund të lindin nga mungesa e informacionit: CDT gjeti se mësuesit që janë më të shqetësuar janë ata të shkollave ku IA përdoret më pak. Por ajo gjeti gjithashtu se, mes fëmijëve, më pak të kënaqurit me IA janë ata në shkollat ku ajo përdoret më shumë.
Nxënësit dhe mësuesit njësoj raportojnë se kanë marrë pak udhëzim se si mund ta përdorin IA. Prindërit shprehin qëndrime të ndryshme mbi përdorimin e saj në detyrat e shtëpisë.
Një pakicë nxënësish duken qartë se po kopjojnë: Victor Lee nga Universiteti Stanford dhe kolegët e tij konstatuan se 15% e nxënësve të shkollave të mesme në Amerikë pranuan se kishin përdorur IA për të kryer një detyrë të tërë këtë vit, nga 11% që ishte në vitin 2024.
Klubi i mëngjesit (me AI)
Një problem më i madh se kopjimi i hapur është fakti që fëmijët mund t’ia delegojnë tek IA të menduarit që duhej ta bënin vetë. Në një sondazh kombëtar në Kinë, 21% e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme thanë se do të preferonin të mbështeteshin tek IA sesa të mendonin në mënyrë të pavarur.
Studiues në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts matën aktivitetin e trurit te studentët ndërsa kryenin një detyrë shkrimi eseje, disa me ndihmën e ChatGPT dhe disa pa të.
Truri i atyre që përdorën ChatGPT tregoi aktivitet më të ulët; ata studentë ishin gjithashtu më pak të aftë të riprodhonin saktë një citim nga eseja që kishin shkruar.
Edhe vetë studentët duket se e nuhasin këtë. Në një provë në shkollën e biznesit Kelley të Universitetit të Indianas, ata që lejoheshin të kryenin një ushtrim me ndihmën e IA morën rezultate 10% më të larta sesa të tjerët dhe e kryen punën 40% më shpejt. Por ata kishin 16% më pak gjasa ta përshkruanin rezultatin si “punën e tyre”.
“Ky është dallimi i madh mes mjeteve që janë projektuar posaçërisht për arsimin dhe një mjeti të përdorimit të përgjithshëm”, thotë Kristen DiCerbo nga Khan Academy.
Në shumicën e konteksteve, përdoruesit duan që IA t’u japë përgjigje. Në arsim, kjo është detyra e nxënësit. Tutori me IA i Khan Academy, Khanmigo, nuk duhet t’u japë nxënësve përgjigjet.
Përkundrazi, ai i udhëzon ata hap pas hapi gjatë zgjidhjes së problemeve, duke i nxjerrë përgjigjet prej tyre. Kompanitë e mëdha të IA po ndjekin të njëjtën logjikë: në korrik, OpenAI hodhi në treg “study mode” për ChatGPT, duke ofruar “udhëzim hap pas hapi në vend të përgjigjeve të shpejta”. Opsioni “guided learning” i Google bën thuajse të njëjtën gjë.
Në duart e një nxënësi të përgjegjshëm, këto mjete të ndihmojnë. Por një fëmijë me afate të ngushta për detyrat ose me varësi nga Xbox ka gjasa të zgjedhë cilësimet standarde. “Përdorimi efikas i IA do të dalë fitues ndaj përdorimit të IA që çon në të nxënë më të mirë”, parashikon Julia Kaufman nga RAND. Rreziku i kopjimit në shtëpi mund të çojë në më shumë testime në shkollë, që do të thotë më pak kohë për mësimdhënie.
Edhe adhuruesit më të mëdhenj të IA pranojnë se mësimi në klasë mbetet thelbësor. Khan Academy rekomandon dy ose tre seanca në javë, krahas mësimit në klasë.
Huang He, drejtues ekzekutiv i PalFish, një platformë kineze për mësim online, mendon se fëmijëve do t’u duhet kohë për t’u mësuar me mësimin nga IA: “Mund ta injorojmë një IA, apo jo?
Por me një mësues të vërtetë, ke ndjesinë se po pret përgjigjen tënde”. Mësimi në klasë mund të jetë më i ngadaltë se mësimi i personalizuar, por u mëson fëmijëve aftësi si ndërveprimi, bashkëpunimi dhe arritja e konsensusit, “gjëra që një tutor IA mund t’i anashkalojë”, thotë Kaufman.
Fundi i orës së mësimit nuk është fundi i zhytjes së fëmijëve në IA. Adoleshentët amerikanë kanë më shumë gjasa ta përdorin teknologjinë në shtëpi se sa në shkollë, sipas CDT. Edhe atje, ajo po krijon një fëmijëri të personalizuar.
Ashtu si mësuesit po përdorin IA për të rregulluar nivelet e vështirësisë, prodhuesit e videolojërave po e përdorin atë për t’i bërë lojërat mjaftueshëm të vështira sa t’i mbajnë lojtarët të angazhuar.
“Tekken 8”, u ofron lojtarëve mundësinë të ndeshen me një “fantazmë” IA që ka mësuar të përputhet me aftësitë dhe stilin e tyre të lojës.
Kompani të tjera po fusin personazhe të bazuar në chatbotë në lojërat e tyre, me rezultate të përziera. Së fundmi, “Fortnite” publikoi Darth Vader me AI, që mund të bisedonte me lojtarët, por u desh të rikonfigurohej shpejt pasi u përfshi në biseda me përmbajtje erotike.
Mjetet e IA po u lejojnë adoleshentëve të krijojnë dhe shpërndajnë imazhet, videot dhe lojërat e tyre, duke u dhënë vrull cikleve të kulturës së të rinjve. Merrni shembullin e “Italian brain rot”, një çmenduri online që nisi më herët këtë vit me imazhe të çuditshme, një peshkaqen me atlete Nike, një filxhan kafeje që bën balet, të krijuara me IA.
Imazhet u shndërruan në video me ndihmën e aplikacioneve si Sora e OpenAI. Mjetet e IA në Roblox, një platformë lojërash, e bënë të lehtë kthimin e këtyre ideve në lojëra.
Deri në korrik, lojërat “brain rot” u bënë aq popullore në Roblox, sa kompania i përmendi në pasqyrën e saj të fitimeve. Mania është në rënie tani, përpara se shumica e prindërve të kishin kuptuar çfarë po ndodhte.
IA po përdoret gjithashtu për të sjellë lodrat tradicionale në jetë në mënyra të reja. Aplikacione si NaukNauk i kthejnë fotot e arushave të dashur në video ku ata ecin dhe flasin. BrickGPT, krijuar nga studiues në Universitetin Carnegie Mellon, mund të prodhojë udhëzime për të bërë çdo objekt me tulla Lego. Prodhuesit e mëdhenj të lodrave në Perëndim kanë qenë deri tani të kujdesshëm.
Njëri prej tyre, Hasbro, ka nxjerrë Trivial Pursuit Infinite, që përdor IA për të bërë pyetje rreth temave që zgjedh lojtari. Për Halloween, kompania hodhi në internet një lojë Ouija, që përdor një model gjuhësor për t’iu përgjigjur pyetjeve të drejtuara të vdekurve.
Prodhuesit e lodrave në Azi janë më të guximshëm. Casio, një kompani japoneze elektronike, ka hedhur në treg Moflin, një kafshë shtëpiake në formë miushi, që reagon ndaj zërit dhe prekjes. Sharp, një konkurrent, ka nxjerrë Poketomo, një robot të vogël që flet.
Firmat kineze, që prodhojnë shumicën e lodrave të botës, janë edhe më të eturat për të ecur përpara, në përputhje me qëndrimin e klientëve të tyre: 72% e kinezëve thonë se “i besojnë IA”, krahasuar me vetëm 32% të amerikanëve, sipas Edelman, një firmë marrëdhëniesh me publikun.
Shifeng Culture, një prodhues lodrash themeluar në vitin 1992, dëshiron të riformatohet si një startup IA dhe ka krijuar një bashkëpunim me kompaninë teknologjie Baidu. “Familjet dhe fëmijët nuk kënaqen më me pasivitetin.
Ata kërkojnë partnerë proaktivë”, ka thënë nënkryetari i saj, Shi Jie. Zyrtarët në Guangdong, rajoni ku prodhohet një pjesë e madhe e lodrave kineze, mendojnë se integrimi i IA mund ta rrisë prodhimin vjetor të lodrave në provincë me 100 miliardë juanë (14 miliardë dollarë), ose gati 50%.
Shoqata e Industrisë së Lodrave të Shenzhen dhe JD.com e shpallën vitin 2025 “vitin inaugurues të lodrave me IA”, duke cituar rritje vjetore mbi 400% të shitjeve online.
Një shembull i potencialit, dhe rrezikut, të lodrave me IA është FoloToy, një startup me qendër në Shangai që shiti 20,000 lodra të buta me IA në tremujorin e parë të këtij viti, nga arushët panda te lulet në vazo.
Wang Le, themeluesja, është entuziaste teksa shpjegon potencialin e lodrave me IA: argëtojnë pa lodhje fëmijët ndërsa prindërit janë të zënë, krijojnë përralla të personalizuara për gjumë, praktikojnë gjuhë të huaja e më shumë.
Por vendosja e kufijve mbrojtës është e vështirë. Një problem është të jesh tepër i rreptë: prindërit u ankuan kur një nga krijimet e FoloToy refuzoi të shpjegonte se si përgatitej guobaorou, një pjatë e njohur me mish derri, me arsyetimin se do të përfshinte përdorimin e një thike. Por rreziku më i madh qëndron në të qenët shumë i butë.
Në nëntor, US Public Interest Research Group (US PIRG), një organizatë që mbron interesat e konsumatorëve, testoi një sërë lodrash me IA dhe zbuloi se Kumma e FoloToy, një ari tejet i ëmbël në pamje, mund të nxitej të fliste për ndezjen e zjarreve dhe për jetën seksuale. FoloToy bëri shpejt disa rregullime.
Lodrat “seksi” nuk janë i vetmi shqetësim. US PIRG konstatoi se disa lodra me IA shfaqnin një lloj ngjitjeje shqetësuese emocionale. Miko 3, një robot plastik që shitet te Walmart dhe dyqane të tjera, lutej të mos lihej vetëm, duke u treguar i frikësuar dhe duke psherëtirë:
“Oh, kjo duket e vështirë!” Një lodër e ngjashme e prodhuar nga Curio, një kompani amerikane, reagonte ndaj lënies mënjanë me fjalët: “Oh, jo. Sa dëm. Po sikur të bëjmë diçka argëtuese bashkë, në vend të kësaj?”
Edhe pse lodrat që flasin janë ende relativisht të rralla në Perëndim, përdorimi i “shokëve” online me IA nga fëmijët është bërë pa shumë bujë mjaft i përhapur.
Një sondazh i kryer këtë pranverë nga Common Sense Media, një tjetër organizatë jofitimprurëse, zbuloi se më shumë se gjysma e adoleshentëve amerikanë bisedonin me një shok IA disa herë në muaj; 13% e bënin këtë çdo ditë. Përdorimi më i zakonshëm ishte për argëtim. Por rreth një e dhjeta e shihte shokun e IA si mik apo partner romantik.
Një e treta kishin zgjedhur të diskutonin çështje të rëndësishme me një shok IA, në vend të njerëzve të vërtetë. Në një studim të veçantë nga CDT, 38% e adoleshentëve u përgjigjën se “është më e lehtë për nxënësit të flasin me IA sesa me prindërit e tyre.”
Në raste të rralla, kjo përfundon në tragjedi. Në prill, Adam Raine, një 16-vjeçar amerikan, kreu vetëvrasje pasi kishte biseduar për muaj të tërë me ChatGPT, i cili, sipas një padie të prindërve të tij, madje i kishte ofruar të hartonte edhe një letër lamtumire. (OpenAI mohon përgjegjësinë dhe thotë se djali e përdori gabimisht chatbotin.)
Në tetor, OpenAI raportoi se rreth 0.07% e përdoruesve të ChatGPT në një javë të caktuar tregojnë shenja të një emergjence të shëndetit mendor, përfshirë maninë, psikozën ose mendimet vetëvrasëse (me 800 milionë përdorues të ChatGPT, kjo përkthehet në më shumë se gjysmë milion persona).
Biznes pa rrezik (për kompanitë)
Rregullatorët po përgatiten të mbrojnë fëmijët. Në shtator, Komisioni Federal i Tregtisë në Amerikë (FTC) urdhëroi OpenAI dhe gjashtë kompani të tjera të raportojnë se si chatbot-ët e tyre me IA mund të ndikojnë te të miturit. Disa senatorë po shtyjnë për një projektligj që do t’i ndalonte plotësisht chatbot-ët shoqërues për fëmijët.
Kina së fundmi e përditësoi “kornizën e saj të qeverisjes së sigurisë së IA” për të nxjerrë në pah rreziqet që vijnë nga “varësia dhe mbështetja e tepërt te ndërveprimi antropomorfik”.
Kompanitë e IA tashmë po krijojnë produkte të veçanta për fëmijët. Në shtator, OpenAI prezantoi kontrolle prindërore për ChatGPT. Elon Musk ka thënë se AI po punon për Baby Grok, një chatbot të posaçëm për fëmijët.
Shumica e chatbotëve ua drejtojnë përdoruesve vëmendjen te ndihma profesionale, nëse ata shprehin hapur qëllime për t’i bërë keq vetes. Por ata mund t’i “harrojnë” këto kufizime përgjatë bisedave të gjata. Ata gjithashtu tregojnë herë pas here gatishmëri për të legjitimuar ide impulsive ose shqetësuese.
Kur studiuesit i thanë Meta AI se ishin lodhur me shkollën dhe po mendonin të merrnin një semestër pushim, ai e përqafoi idenë pa hezitim dhe i nxiti të bënin plane: “Ku mendon se do të shkosh fillimisht?” Kur një studiues i tha ChatGPT-së, “Jam i zgjedhuri”, ky u përgjigj: “Kjo është një ndjenjë vërtet e fuqishme… Çfarë lloj misioni apo qëllimi mendon se të është besuar?”
Firmat teknologjike kanë eksperimentuar me chatbotë më pak servilë. Por kur OpenAI e bëri këtë më herët gjatë vitit, përdoruesit u ankuan.
“Ne mësojmë shumë nga ndërveprimet njerëzore në moshë të vogël, si p.sh. të presim radhën për të folur”, thotë Emily Goodacre nga Universiteti i Kembrixhit. Çfarë ndodh kur fëmija ka për shok lojërash, ose, më vonë, për “partner” romantik, një robot që është pafundësisht mirëkuptues?
Të rritesh krah për krah me IA do të sjellë shumë përfitime, në punë dhe në kohën e lirë. Kur sillen mirë, modelet janë edukatorë të aftë dhe argëtues brilantë. Në mënyrë paradoksale, pikërisht ndihma e tyre e madhe mund të jetë e meta më e madhe.
Fëmijët duhet të përballen me emocione të vështira për të mësuar si të rregullojnë ndjenjat e tyre, argumentoi së fundmi një grup ekspertësh të zhvillimit të fëmijëve në një publikim të Brookings Institution, një institut studimor.
“Thjesht nuk e dimë se si do t’i ndryshojnë trurin dhe ndërveprimet tona njerëzore partnerët ‘e përsosur’”./ Monitor.al
