Nga Marina Calculli dhe Gjovalin Macaj
Një kor shumëzëri nga Evropa ka nisur të dënojë luftën shfarosëse të Izraelit në Palestinë, por retorika e tyre nuk po shoqërohet me veprimet e duhura. Zërat që udhëheqin debatin publik kanë filluar ta ndryshojnë melodinë.
Pas një viti e gjysmë heshtjeje shurdhuese dhe përpjekjesh të pandërprera për të diskredituar çdo zë kritik ndaj luftës së shfarosjes dhe gjenocidit që Izraeli po zhvillon në Palestinë, forcat liberalo-konservatore kanë filluar të shqiptojnë, me gjysmë zëri, dënimin për atë që nuk mund të mohohet më.
Presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi situatën humanitare në Gaza si “të patolerueshme”. Gazeta The Guardian dhe e përditshmja prestigjioze holandeze NRC më në fund po raportojnë mbi atë që palestinezët dhe ekspertët e gjenocidit kanë denoncuar që në fillim të kësaj kasaphaneje të Izraelit: se gjenocidi është gjenocid!
Edhe një pranim i vakët i gjenocidit është më i mirë sesa heshtja apo bashkëpunimi i heshtur. Për rrjedhojë deklarata të tilla duhen përshëndetur deri ditën kur çdo akt gjenocidi, në Palestinë apo gjetkë, të ndalohet dhe dënohet pa pikë mëdyshje.
Por nga ana tjetër ia vlen të shqyrtojmë qëllimin dhe pasojat e këtyre deklaratave që pranojnë dhe dënojnë atë që po ndodh mbi palestinezët. A përfaqësojnë ato një rizgjim të ndërgjegjes njerëzore, apo janë thjesht një përpjekje e dëshpëruar për të zbutur zemërimin publik që po rritet dita ditës për shkak të kolapsit së njerëzores përballë Gazës?
Nuk përjashtohet mundësia e një zgjimi të vërtetë dhe një efekti pozitiv domino përballë realiteteve të padurueshme që po shkaktohen nga një e keqe e rrënjosur mes radikalëve. Por fakti që këto deklarata kanë dalë në të njëjtën kohë dhe me të njëjtën gjatësi vale lë të kuptohet për një lloj linjëzimi mes qeverive dhe mediave të sistemit.
Gjithësesi të flasësh do të thotë t’i hapësh rrugën edhe të tjerëve për të folur. Kur gjenocidi nuk mund të mohohet më edhe ata që më parë heshtnin mund të ndjenë detyrën që të ndryshojnë qëndrim për të mos mbetur jashtë rreshti.
Por kjo kthesë e papritur, pas pothuajse 20 muajsh heshtje të mirëmenduar ose paaftësie të fabrikuar përballë një gjenocidi që po transmetohet drejtpërdrejt ngre shumë pikëpyetje.
Bashkëfajësia evropiane
Disa argumentojnë se ky ndryshim tonit në ligjërimin evropian është një përpjekje e vonuar për të larë mëkatin e bashkëpërgjegjësisë evropiane në gjenocidin që po kryen Izraeli mbi palestinezët.
Gaza është rrënuar tërësisht. Izraeli ka hedhur mbi 100 mijë tonë eksploziv mbi një pupullatë prej dy milionë njerëzish. Siç shkruan dhe Omar El Akkad: “Do vijë një ditë ku të gjithë do thonë se kemi qenë përherë kundër kësaj” duke na kujtuar se njerëzit zakonisht gjejnë guximin të jenë në anën e drejtë të historisë vetëm atëherë kur ndjejnë se nuk do kenë ndonjë pasojë personale ndaj asaj që thonë.
Ndoshta kjo ditë është edhe sot. Edhe sot që flasim gjenocidi në Gaza po vazhdon me të njëjtin intensitet, madje po zgjerohet edhe në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërkohë që kritikët e vonuar të Izraelit, përfshirë institucionet dhe qeveritë e BE-së,të cilët përtej retorikës nuk ndërmarrin asnjë hap për ta ndalur këtë tmerr.
Përkundrazi: ata vazhdojnë ta mbështesin politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht këtë gjenocid. Po shohim një ndryshim të menjëhershëm të gjuhës, por jo të qëndrimeve ndaj Izraelit.
Në fakt kjo kthesë në retorikë po ndodh pikërisht në një moment kur publiku i gjerë evropian nuk po e përtyp më dot propagandën gjenocidale të “mbrojtjes vetjake” dhe “çmilitarizimit të Hamasit”, me të cilën Izraeli dhe aleatët e tij perëndimorë kanë justifikuar vrasjen e më shumë se 53 mijë njerëzve. Nuk përjashtohet gjithashtu mundësia që forcat e sistemit brenda Bashkimit Evropian po përpiqen të ruajë monopolin apo kontrollin mbi masën e kritikës që bëhet ndaj Izraelit dhe zmbrapsur mesazhin e fortë që vjen nga një lëvizje globale solidaritetit me Palestinën, solidaritet që ka nxjerrë në pah strukturën koloniale dhe aparteidiane të shtetit Izraelit dhe rolin e Tel Avivit në ruajtjen e një sistemi ekonomik global të bazuar mbi fuqizimin ushtarak dhe teknologjitë e mbikëqyrjes, në vend të zhvillimit njerëzor. Kjo kritikë ideologjike është ajo që establishmenti evropian e sheh si kërcënim dhe përpiqet ta frenojë, duke lehtësuar vetëm në pamje të jashtme kontrollin mbi mënyrën si mund të kritikohet Izraeli për shkeljen e normave themelore.
Distancimi i zbehtë i disa shteteve të BE-së nga “qeveria Netanyahu”, frazë kjo që në vetvete përpiqet të personalizojë përgjegjësinë e Izraelit për gjenocidin vetëm tek figura e Netanjahut duke u munduar të mbulojnë strukturën koloniale që e mundëson gjithë këtë që po ndodh, nuk ka sjellë ndonjë pezullim të marrëdhënieve tregtare me Izraelin por vetëm një “rishikim” të tyre, a thua se kjo është e vetmja apo mënyra më e rëndësishme për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare: për ta parandaluar, ndalur dhe moskryer gjenocid.
Makineria e luftës
Forcat e sistemit po na nxisin të përqendrohemi tek një masë që pothuajse me siguri nuk do të ndodhë: pezullimi i marrëveshjes së asociimit e cila kërkon konsensusin unanim të 27 shteteve anëtare të BE-së, përfshirë aleatë të vendosur të Izraelit si Gjermania dhe Hungaria.
Ironia në këtë masë qëndron në faktin se shtetet anëtare të BE-së kanë ofruar mbështetje të pakushtëzuar për luftën shfarosëse të Izraelit në mënyrë të njëanshme dhe mund ta tërheqin atë mbështetje po njësoj, në mënyrë të njëanshme. Ata nuk e ndoqën rrugën shumëpalëshe për të mbështetur Izraelin gjë që po mundohen ta bëjnë tani për ta sanksionuar atë. Thjesht sepse kjo e fundit nuk funksionon asnjëherë kur kërkohet. Zgjedhja për ta trajtuar këtë çështje në nivelin shumëpalësh të BE-së shërben thjesht për të zhvendosur presionin publik në rritje që kërkon veprim konkret përballë përshkallëzimit të gjenocidit në Gaza, ndërkohë që gjendja në terren mbetet e pandryshuar.
Askund nuk shohim që forcat brenda sistemit të diskutojnë, qoftë edhe larg, mundësinë e masave të njëanshme të ngjashme me ato që u ndërmorën ndaj Rusisë për agresionin që kjo nisi ndaj Ukrainës që prej shkurtit 2022: embargo armësh, ngrirje tregtare të njëanshme, thirrje për shkëputje akademike me institucione që ndihmojnë makinerinë e luftës [apo ndërprerja e shkëmbimeve kulturore].
Ka një mënyrë të thjeshtë për të kuptuar nëse këto kthesa të papritura nw retorikwn zyrtare tw Evropws shwnojnw njw përpjekje të fundit për të kontrolluar mendimin publik për gjenocidin në Palestinë tani që ai nuk mund të mohohet më apo janë hapat e parë drejt fundit të bashkëfajësisë evropiane në këto mizori.
Nëse këto zëra kërkojnë masa të menjëhershme dhe të prekshme për të ndalur gjenocidin dhe për të ndërprerë bashkëpunimin e shteteve të BE-së me të, atëherë duhet t’i mirëpresim, e t’i përdorim si shtysë për të përfshirë sa më shumë njerëz në përpjekjen për ta ndalur këtë kasaphanë dhe për të adresuar shkaqet e saj strukturore
Por nëse këto dënime të befasishme kufizohen vetëm në pranimin e asaj që nuk mund të fshihet më, pa mbështetur asnjë masë për të luftuar pandëshkueshmërinë, atëherë duhet t’i kuptojmë për çfarë janë në të vërtetë: përpjekje tinëzare të bashkëfajtorëve të krimeve të Izraelit për t’iu shmangur turpit shoqëror, që më herët a më vonë do t’u vijë.
Duhet të denoncojmë çdo përpjekje [nga kushdo dhe nga kudo] për të zbehur zemërimin legjitim publik ndaj gjenocidit që po zhvillohet mbi palestinezët në Gaza dhe për të vazhduar jetën sikur s’ka ndodhur asgjë. Kjo do t’u lejonte po atyre forca që kanë bërë të mundur këtë gjenocid të vijojnë pa iu dridhur qerpiku të ushtrojnë privilegjin e tyre për të na treguar se si duhet të jetojmë dhe si ta dallojmë të mirën nga e keqja./ Publikuar në MEE
(BalkanWeb)