Kantautori i njohur Gjergj Leka ka organizuar edicionin e gjashtë të Festës së Këngës, një festival që bashkon në skenë breza artistësh.
Me synimin për të mbajtur gjallë traditat e mira të muzikës së lehtë shqiptare përmes kësaj nisme personale, në këtë edicion Leka u bëri homazh emrave të mëdhenj si Pjetër Gaci, Vaçe Zela, Kujtim Laro, Aleksandër Lalo, Tonin Tërshana, Nikolla Zoraqi, Tonin Harapi, Agim Prodani e Anita Take, Kastriot Gjini, Alqi Boshnjaku, Agim Krajka, Jorgo Papingji e Kujtim Laro, Teodor Keko, Agim Doçi e Betim Muço. Emrat e tyre erdhën të gdhendur në Çmimet që u shpërndanë për të 19 konkurrentët, një përfaqësim i disa brezave.
Në skenë, nga Kozma Dushi, Alida Hisku, Rajmonda Kamberi, Zina Zdrava e Arta Babaramo tek emrat si Kejtlin Gjata, Dea Amoniku, Era Hasanaj e shumë të tjerë.
Një kujdes i veçantë producenti dhe organizatori i festivalit tregoi për përzgjedhjen e teksteve të këngëve, duke gjetur një terren të pasur në vargjet e poetëve shqiptarë dhe tekstshkruesve që kanë bërë historinë e festivaleve të këngës si Jorgo Papingji, Agim Doçi, Arben Duka. Një nga surprizat e mbrëmjes ishte edhe performanca e drejtores së përgjithshme të televizionit News 24, e cila interpretoi këngën “Nuk e dija kisha vdekur” me tekst të Agim Doçit, i cili u nda nga jeta një vit më parë dhe u nderua nga festivali me Çmimin “Kastriot Gjini”.
Kjo ishte hera e dytë që gazetarja ngjitet në skenë si këngëtare, pasi edicionin e kaluar të Festa e Këngës erdhi me një këngë përshëndetëse në duet me Gjergj Lekën. Leka përcolli gjithashtu një mesazh për sulmin ndaj News 24, duke i vlerësuar të gjithë gazetarët e televizionit si heronj. Ai u ndal te fillimet e bashkëpunimit me News 24 rreth 7 vjet më parë, një bashkëpunim i frytshëm dhe që ka gjetur respektin e Fokus Media Grup në lirinë e tij artistike.
