Gjykata Administrative e Këlnit vendosi në një vendim të përkohshëm, që Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) nuk lejohet ta klasifikojë dhe ta trajtojë rastin e partisë Alternativa për Gjermaninë si e sigurt “ekstremiste e djathtë”, për sa kohë vazhdon procedura gjyqësore, deri sa të të shpallet vendimi përfundimtar.

Vendimi erdhi pas kërkesës urgjente të AfD-së e cila u pranua në thelb, njoftoi gjykata. Vendimi mund të ankimohet në instancën më të lartë përkatëse, në Gjykatën e Lartë Administrative për landin Nordrhein-Westfalen në Mynster.

Sipas vlerësimit të gjykatës me një siguri të mjaftueshme mendohet se brenda AfD-së zhvillohen përpjekje të drejtuara kundër rendit demokratik dhe liberal. Megjithatë kjo nuk e karakterizon partinë “në një mënyrë të tillë që, në tërësinë e saj të mund të konstatohet një prirje themelore armiqësore ndaj Kushtetutës”.

Pas një shqyrtimi disa­vjeçar Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës e klasifikoi AfD-në vitin e kaluar si “të sigurtë ekstremiste të djathtë”. Dyshimi se partia ndjek synime që drejtohen kundër rendit demokratik dhe liberal është konfirmuar dhe në pjesë thelbësore është konsoliduar në bindje të plotë, njoftoi asokohe Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës.

AfD-ja ndërmori hapa ligjorë kundër këtij klasifikimi. Ajo paraqiti padi dhe parashtroi një kërkesë urgjente në Gjykatën Administrative të Këlnit, sepse Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës e ka selinë atje në këtë qytet. Me këtë padi AfD-ja synonte që përmes gjykatës t’i ndalohej Zyrës Federale ta klasifikonte, ta rendiste dhe ta trajtonte si ekstremiste të djathtë.

Tani pas vendimit Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës nuk ka të drejtë që deri në një vendim gjyqësor përfundimtar, ta quajë publikisht AfD-në si parti të sigurtë ekstremiste të djathtë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb