Në një lidhje për “News24”, nga Gjermania, Auron Dodi nga DW, ka analizuar zhvillimet politike të Gjermani.
Në Gjermani, në landin e Baden-Vyrttembergut, qendër të kompanive automobilistike Mercedes dhe Porshe, zgjedhjet rajonale i fitoi kandidati i partisë Të Gjelbrit. Ai i fitoi ato përballë CDU-së, partisë së kancelarit Merz.
Në analizën e tij për garën në landin Baden-Vyrttemberg , Auron Dodi nënvizoi se shumicën e votave gati 30.2% e morën të Gjelbrit, për të cilën tha se janë në pushtet në këtë land prej vitit 2011.
Gjithashtu shtoi se kancelari Merz, nga CDU synonte që të fitonte këtë land, por nuk ishte e mundur.
Intervista e plotë;
Si paraqitet në shifra gara e forcave politike në landin Baden-Vyrttemberg?
Auron Dodi: Shumicën e votave, 30.2%, e morën Të Gjelbrit, në pushtet në këtë land prej vitit 2011 (fillimisht në koalicion me SPD e pastaj me CDU). Të Gjelbrit fituan me një shumicë të ngushtë, prej vetëm 0,5% të votave ndaj partisë së dytë, CDU-së. CDU-ja mori 29.7% të votave. Mori më shumë vota se në zgjedhjet e kaluara, por nuk fitoi. Kancelari Merz -nga CDU- dëshironte ta rifitonte këtë land, ku kanë lindur dhe i kanë rrënjët deri sot kompanitë Porsche, Mercedes-Benz, Bosch dhe SAP. Por nuk qe e mundur.
Forca e tretë doli partia ultra e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), që mori 18.8% të votave. Kurse socialdemokratët, partnerët e Merz-it në nivel federal, për pak mbetën jashtë parlamentit të landit: ranë nga 11% në 5.5%.
Pse kishin rëndësi këto zgjedhje për CDU-në e Merz-it? Pse ka kaq rëndësi ky land në veriperëndim të Gjermanisë?
Për Merz-in, këto zgjedhje ishin të rëndësishme edhe si të parat në pesë zgjedhje rajonale këtë vit në Gjermani. Ato dukeshin më të lehtat për t’u fituar, pasi CDU kryesoi për vite në sondazhe ndaj Të Gjelbërve në këtë land, me gati 14%.
Por në fund zgjedhësit vendosën për kandidatin që u ngjalli më shumë besim. Dhe ai nuk ishte kandidati 37-vjeçar i CDU-së, Manuel Hagel. Ai konsiderohej fituesi i sigurt deri kur papritur u rishfaq një video e vitit 2018, ku ai bënte vërejtje për një vajzë adoleshente, që u interpretuan si seksiste. Pas kësaj, mbështetja për të ra ndjeshëm.
Kurse kandidati i Gjelbër, 60 vjeçari Cem Özdemir, mobilizoi besim. Ai bëri publicitet me përvojën e tij politike.
Baden-Ëürttembergu si land ka 11 milionë banorë dhe mund të shihet si kampion tipik i fuqisë ekonomike gjermane: shumë njerëz punojnë në kompani që prodhojnë dhe eksportojnë mallra me vlerë të lartë, përfshirë automobila. Janë më shumë se 200.000 vende pune që varen nga industria automobilistike në këtë zonë. Por Mercedes-i, Porsche dhe Bosch-i, që ndodhen para transformimeve, po shkurtojnë vende pune.
Njëkohësisht tarifat doganore të SHBA dhe importet në rritje nga Kina po e cënojnë këtë model suksesi gjerman.
A shpjegohet me këtë pasiguri rezultati i lartë që arriti ultra e djathta AfD?
Populistët e AfD-së në Gjermani fitojnë mbështetje, si atje ku ka vështirësi ekonomike – p.sh. në disa zona të Gjermanisë lindore, ashtu dhe atje ku njerëzit kanë frikë se do ta humbasin mirëqëenien – ky është rasti i Baden-Ëürttemberg-ut. Sa më e rehatshme të jetë gjendja financiare e votuesve, aq më shumë frikë kanë ata se do t’u sfidohet mirëqenia.
Baden-Ëürttembergu është rajon i pasur dhe ka gati punësim të plotë. Por shumë ndërmarrje të vogla dhe të mesme në këtu mbështeten ofrimin e aktiviteteve që lidhen me motorin me djegie të brendshme, të kërcënuar nga automobilët elektrikë.
Madje pothuajse gjysma e votuesve thanë në një sondazh që druhen se rajoni mund të pësojë të njëjtin fat si Detroiti në SHBA, që ra në varfëri pas shkatërrimit të industrisë automobilistike.
Por Baden-Ëürttemberg-u në fakt dallon nga Detroiti: ka fuqi punëtore shumë të kualifikuar, ka universitete të njohura dhe aftësi të forta inovative – që nga inteligjenca artificiale, te robotika e kujdesi shëndetësor.
Megjithatë AfD-ja pothuajse i dyfishoi votat këtu, nga 9.7% në vitin 2021 në 18.8% sivjet. Katër nga dhjetë punëtorë zgjodhën AfD-në. Ia dhanë asaj votën edhe shumë jo votues të zgjedhjeve të kaluara.
Po fitorja e re e Të Gjelbërve në këtë land, si shpjegohet?
Të Gjelbrit shtuan brenda pak muajsh mbi 10% në vota në sajë të personalitetit të kandidatit të tyre për kryeministër, Cem Özdemir. Özdemir-i zhvilloi një fushatë pragmatike, centriste, me pozicione shpesh të djathta për migrimin. Ai qe pranë ekonomisë, p.sh. foli kundër ndalimit të motorëve me djegie pas 2035-ës. U tregua disi i distancuar edhe nga partia federale e Të Gjelbërve, një parti që respekton me vëëmendje programin e saj.
Prindërit e Özdemirit kanë ardhur si punëtorë mysafirë (Gastarbeiter) në Gjermani në vitet 1960. Özdemir-i simbolizon suksesin e integrimit të emigracionit turk në Gjermani.
Ai ishte një nga deputetët e parë të Bundestagut me origjinë turke (në vitin 1994). Ai vetë ka lindur dhe është rritur në Baden-Ëürrtemberg dhe flet dialektin e zonës. Kryesoi Të Gjelbrit si parti në federatë dhe ishte edhe Ministër i Bujqësisë nën kancelarin Olaf Scholz.
Pas zgjedhjes, ai do të jetë kryeministri i parë i një landi gjerman, me origjinë migrantësh.
Po rënia e madhe e socialdemokratëve (SPD) si shpjegohet?
Me dobësinë që po tregon SPD-ja, disa analistët e vënë në pikëpyetje të ardhmen e kësaj partie. SPD mbron përfitimet sociale, por nuk paraqet ndonjë vizion bashkëkohor modern për të ardhmen. Mjaft votues kritikojnë se socialdemokratët më shumë mbrojnë përfituesit e ndihmës sociale, sesa punonjësit.
Një shans për këtë parti mund të jenë zgjedhjet në landin Rheinland-Pfalz, në 22 mars. Ky land qeveriset prej 35 vjetësh nga socialdemokratët dhe kryeministri aktual, socialdemokrati Alexander Schëeitzer atje është i preferuar në popull. Mbajtja e këtij bastioni do t’i jepte shtysë SPD-së.
