Wolfgang Bauer është në të 60-at. Ka lindur në Mynih dhe jeton në Berlin. Kur ishte ende fëmijë e ëma I tregon se ai ka një baba shqiptar. Vetë Ëolfgang nuk e kishte takuar kurrë. Gjithçka kishte prej të atit ishin dy fotografi, ku ai shihej me uniformën e një ushtaraku amerikan. Fotografitë ishin shkrepur në Hohenbrun pranë Mynihut, ku ai kishte shërbyer si ushtarak përreth një vit.

“Babai im quhej Ymer Xhaferri. Ai ka lindur në Picar të Gjirokastrës. U njoh me nënën time, Elizabeth Bauer në Mynih, në Gjermani, më 1955. Unë linda më 1956 kohë kur babai im iku nga Gjermania për në Amerikë. Nuk e takova kurrë. Kam prej tij vetëm dy fotografi. Ndërsa rritesha u bëra kurioz të kuptoja kush ishte babai im. Nëse nuk di rrënjët e familjes tënde, të duket se ke një kuti e zezë, një kuti e zezë për identitetin tënd. Ke disa hapësira boshe, hapësira boshe të familjes tënde. Nisa kërkimet për të, gjeta të dhënat dhe erdha në Shqipëri”, thotë ai në një intervistë për “News 24”.

Ardhja e tij në Shqipëri e çoi në Picar të Gjirokastrës. Atje mësoi se i ati kishte qenë kundërshtar i komunizmit, ishte arratisur nga vendi më 1945 pasi mund të vritej. Nga Shqipëria kishte ikur në Greqi dhe më pas në SHBA. I ikur me shpresën se një ditë do të kthehej në Shqipëri, Ymer Xhaferri, mbeti i arratisur. Në Gjermani është në vitet 1955-1956 si ushtarak amerikan. Nga raporti me një gjermane vjen në jetë një djalë, Wolfgang Bauer, por Ymer Xhaferri mund të mos e ketë takuar kurrë të birin sa ishte foshnjë.

“Unë vetë nuk e kam parë kurrë babain tim. Nuk e kam takuar kurrë atë. Por unë kam lindur në muajin maj 1956 dhe ai ka ikur nga Mynihu për në SHBA në muajin gusht 1956. Për nënën time Elizabeth Bauer, ishte tabu të fliste për babain tim Ymer Xhaferri. Nëna duhet të ketë vuajtur shumë. Nëna më ka thënë se nuk kishte më kontakt me të pas lindjes sime”, tregon Wolfgang Bauer.

Ai erdhi në Shqipëri që të gjente varrin e babait shqiptar por kur mbërriti në Picar, zbuloi që ka një motër. Ai mësoi se para se babai të arratisej kishte qenë i martuar dhe babai i një vajze. “Shkova në Picar të Gjirokastrës dhe mësova se kam një motër. Fola me nipin tim që ishte në SHBA se në fillim ishte e vështirë të kuptoheshim sepse unë nuk dija shqip dhe motra ime nuk dinte gjermanisht. Nipi im Tasim Ruko u bë filli ynë i komunkimit”, thotë Wolfgang Bauer, në intervistën për “News 24” me gazetaren Fatmira Nikolli.

“Është shumë emocionuese për mua (përlotet) Vërtetë që është shumë, shumë emocionuese. Sepse tani mësova që kam një motër dhe kam një familje të mrekullueshme, dhe unë tani jam më i madh në moshë se Tasimi, djali i motrës sime, por, ai është si të ishte im vëlla. E gjej portretin e babait te ata. Ne ngjajmë shumë me njëri-tjetrin. Pjesa e syve dhe e pjesa e buzëve na bën të ngjashëm. E dua këtë vend, e dua Shqipërinë, është e mrekullueshme kjo tokë, dhe ka njerëz të mrekullueshëm. Dhe kanë zemër të madhe dhe uroj më të mirat për Shqipërinë”, thotë Bauer.

Ai ndjehet krenar për historinë e babait të tij që iku nga komunizmi shqiptar. “Tani e di se babai im ishte një luftëtar i lirisë, dhe unë jam po ashtu ushtar lirie. Dhe ndaj kjo është e rëndësishme për mua”. Pa mëri që babai u zhduk, ai thotë se deri vonë shpresoi ta takonte babanë të gjallë, ndonëse kur sheh fotografinë e tij, ndjen simpati.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: